Shtëpia e Xhafer Devës shndërrohet në muze rajonal?

Shtëpia e Xhafer Devës,  pas renovimit do të shndërrohet në muze Rajonal të Mitrovicës. Përveç muzeut në katet e sipërme të këtij objekti do të vendoset edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Rajonale të Mitrovicës.

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë potencuar për Kallxo.com se renovimi i objektit ka hyrë në fazën finale dhe deri në fund të 2020-ës pritet të përmbyllet projekti për renovimin e objektit. Gjithënjë nëse Departamenti i Trashëgimisë i Ministrisë së Kulturës do të marrë mbështetjen e nevojshme për renovimin e këtij objektit.

Nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve, pas renovimin Shtëpia e Xhafer Devës, monument i trashëgiminë nën mbrojtje të shtetit do të shndërrohet në muze dhe në dy katet e sipërme do të vendoset qendra rajonale e trashëgimisë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore ka thënë për Kallxo.com, renovimet e ekryera gjatë 2019, në kulmin, në konstruksionin meskator dhe në shkallë kanë krijuar stabilitet të objektit.

Sipas saj, renovimi gjatë 2019-ës i hapin rrugë ndërhyrjeve tjera restauruese, të cilat jo vetëm që do të kthejnë në shfrytëzim ndërtesën, por edhe do t`i japin funksion të ri sipas projektit të aprovuar për konservimin dhe restaurim.

“Sipas projektit parashihet të zhvillohen punimet e enterierit dhe eksterierit. Sa i përket enterierit, kati përdhesë është destinuar të jetë hapësirë muzeale që do të ju kushtohet personaliteteve të shquara nga Rajoni i Mitrovicës. Ndërsa, Kati I dhe II do të jenë hapësira të cilat do të vihen në funksion të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, si hapësira pune”, ka thënë ajo për Kallxo.com.

Por, sipas saj, të gjitha këto do të realizohen nëse kërkesa buxhetore e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore mbështetet si e plotë, në mënyrë që projekti të përmbyllet gjatë vitit 2020-të.

Shtëpia e Xhafer Devës është e ndërtuar në bërthamën e vjetër të qytetit të Mitrovicës. Kjo ndërtesë është ndërtuar në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Shtëpia fillimisht kishte karakter banimi. Ky objekt kryesisht e ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit. Ky objekt është në mbrojtje të përkohshme të shtetit. Shtëpia ka destinim banimi dhe është me etazhitet B+P+2. Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore–historike dhe arkitektonike për tërë rajonin e Mitrovicës. Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në eksterier.

Në 2015-ën këtij objekti i ishte vënë flaka duke e djegur një pjesë të mirë të tij.  Ndërkaq në 2018-ën nisi renovimi i objektit.