Ilustrim

Ministria e Arsimit 'mëson' pak nga rekomandimet e Auditorit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në vitin 2018, ka pranuar përgjysmë më pak rekomandime nga Auditori krahasuar me vitin paraprakë. Kjo ministri ka pranuar 13 rekomandime në raportin për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018, krahasuar me 23 rekomandime sa kishte pranuar për vitin 2017.

Por, ministria e Arsimit në vitin 2018, ka arritur të zbatojë vetëm 7 nga 21 rekomandimet që kishte pranuar në raportin e vitit 2017, apo 30% të rekomandimeve. Ky nivel i zbatimit të rekomandimeve është nën mesataren e zbatimit të rekomandimeve në nivelin e ministrive.

Nga 21 rekomandimet, 5 rekomandime ishin përmbyllur, pra nuk mund të zbatohen apo mos-zbatohen për shkak se problematika ka qenë e izoluar. 6 rekomandimet të Auditorit për vitin 2017 nuk janë zbatuar në vitin pasues, kurse 3 të tjera kanë qenë në proces të zbatimit në kohën e realizimit të auditimit.

Raporti i auditorit të përgjithshëm për këtë ministri, për vitin 2018,  ishte i pamodifikuar ngjashëm si viteve të kaluara me theksim të çështje të mbivlerësimit të pasurisë. Raporti vuri në pah 14 të gjetura.

Në këtë raport, thuhet se të gjeturat kanë të bëjnë kryesisht me planifikimi jo të mirë të projekteve, kompensimin e stafit akademik, pagesat për investimet kapitale të pa përfunduara, të punësuarit “e papunë”  nga marrëveshja e Brukselit, borxhet dhe çështjet tjera.

Shkollat dhe kompensimi i stafit akademik

Në raportin e auditimit të vitit 2017, Auditori theksoi ministria e kishte adresuar pjesërisht dobësit e identifikuara për “mbivlerësimit të pasurive fikse në pasqyrat financiare” dhe “mos bartjes të librave në pasuri kapitale”. Mirëpo, Auditori edhe në vitin 2018 kishte hasur në probleme të njëjta, pasi pasuritë ishin mbivlerësuar për 3.1 milionë euro, pasi shkollat e ndërtuara nga ministria nuk ishin bartur në pronësi të komunave përkatëse.

“Ministri duhet të ndërmerr veprime konkrete lidhur me bartjen e pronësisë për shkollat e ndërtuara nga MAShT te komunat përkatëse, dhe se këto pasuri duhet të largohen nga regjistri i pasurive të ministrisë”, thuhet në rekomandimin e raportit.

Një tjetër problem i përseritur nëpër vite nga ministria e arsimit është kompensimit jo i rregullt i stafit akademik. Në vitin 2014, Auditori kishte gjet se profesorët paguheshin edhe për orët e përmbajtura, edhe pse në fakt ata do të duhet të penalizoheshin: 50 euro për profesor dhe 25 euro për asistent.

Në vitin 2016, Auditorit kishte gjetur se Ministria kishte kompensuar profesorët për provimet e mbajtura përderisa ato do të duhej të ishin pjesë e detyrave të punës. Një shkelje e ngjashme ishte përseritur edhe në vitin 2018.

“Ne kemi identifikuar se anëtarët e Komisionit për Zgjedhjen e Kontesteve dhe të Ankesave në MAShT ishin kompensuar derisa takimet i kishte mbajtur gjatë orarit të rregullt të punës. Pra, komisioni i caktuar nuk kishte punuar jashtë orarit të rregullt të punës dhe për ketë nuk do të duhej të paguhet. Vlera e kompensimeve shtesë për katër anëtarët e komisionit për muajin qershor dhe korrik ishte 994€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori thotë se MAShT pagesat ishin bërë në kundërshtim me rregulloren nr. 33/2012 për shtesat në pagë dhe kompensime të tjera të nëpunësve civilë.

“Ministri duhet të adresoj këtë çështje dhe të siguroj se nuk do të paguhen kompensimet për stafin e brendshëm të angazhuar brenda orarit të rregullt të punës. Mjetet e paguara për kompensime për stafin të kthehen në buxhetin e ministrisë”, thotë rekomandimi i raportit.

Ndërkohë, pagesa të parregullat kishte edhe në Universitetin e Prizrenit. Atje profesorët janë mbi-paguar në emër të provimeve të mbajtura dhe pa dëshmi për mbajtjen e orëve.

“Në dy raste kemi vërejtur se është bërë kompenzimi i profesorëve për orët mbi normë, edhe pse nuk kishte dëshmi se orët janë mbajtur. Vlera e paguar pa dëshmi që tregojnë mbajtjen e orëve mbi normë është 500€. Arsyeja e kësaj sipas menaxhmentit të universitetit ishte se kompenzimi është bërë në emër të mbajtjes së provimeve dhe aktiviteteve tjera, edhepse këto aktivitete ishin të parapara të kryhen në kuadër të orëve të rregullta”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Kontratat e punës për orë mbi-normë parasheh “Pagesa bëhet mbi bazën e orëve të mbajtura të arsyetuara sipas listës së studentëve të pranishëm në mësim dhe të verifikuar nga personi i autorizuar i fakultetit. Në kuadër të kësaj kontrate është përfshirë edhe mbajtja e provimeve dhe angazhimet tjera rreth konsultimeve për provim me studentë”

Shpenzime e tilla janë në kundërshtim me kontratën dhe nuk mund të justifikohen në buxhet. Ministrit dhe Rektorit të Universitetit që pagesat të bëhen vetëm orët e mbajtura dhe ato pa dëshmi t’i kthehen buxhetit.

“Ministri së bashku me Rektorin duhet të siguroj që pagesat të bëhen vetëm për orët e mbajtura jashtë norme, dhe pagesat e bëra pa dëshmi për mbajtjen e orëve mësimore, të kthehen në buxhetin e ministrisë”, thuhet në rekomandim.

Për dallim nga Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjilanit,  kishte kompensuar senatorë për mbledhjet që nuk ishin mbajtura fare.

“Ne kemi identifikuar se 19 anëtarë të Senatit në Universitetin e Gjilanit të cilët ishin kompensuar për katër (4) mbledhje (janar, shkurt, mars dhe qershor 2018) të cilat nuk ishin mbajtur fare nga Senati. Vlera e kompensimeve është 5,320€ (19*4*70€=5,320€). Pagesat e tilla kanë ndodhur për shkak të dështimit të kontrolleve nga zyrtarët përgjegjës të universitetit”, thuhet në raportin e Auditori.

Rregullorja e brendshme nr.02/1486 e Universiteti të Gjilanit për pagesën e anëtarëve të senatit, respektivisht neni 4 i kësaj rregullore përcakton se pagesa për çdo anëtarë të senatit do të jetë në shumë lineare prej 70 euro bruto në muaj, nëse marrin pjesë në mbledhje.

Kompensimi i stafit në kundërshtim me rregulloren dhe pa dëshmi, dëmton buxhetin. Prandaj kreut të Ministrisë dhe të Universitetit iu rekomandua t’i kthehen këto mjete buxhetit dhe të zbatohet rregullorja

“Ministri së bashku me Rektorin duhet të sigurojë se të gjitha pagesat të pa arsyetuara për kompensime ndaj anëtarëve të senatit të kthehen në buxhetin e Kosovës, dhe në të ardhmen, të siguroj zbatim të rregullores përkatëse”, thuhet në rekomandim.

Auditori kishte gjetur parregullësi për angazhimet e profesorëve në Universitetin e Pejës. Profesorët, sipas Auditorit, kishin deklaratat e nënshkruara se nuk kanë angazhime shtesë, edhe pse për periudhën e njëjtë ishin të angazhuar dhe paguar edhe në universitete tjera me honorar (pagë sekondare).

“Rregullorja për të ardhura personale nr.1944 datës 05.10.2016 për stafin akademik në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, në nenin 5 paragrafi 4.2 përcakton se: personeli akademik që ka dy marrëdhënie pune brenda apo jashtë Universitetit Publik “Haxhi Zeka” nuk mund të marr orë mbi normë”, thuhet në konstatimet e Auditorit.

Ministria përsërit gabimin në hapa lidhur me pagesat

Përkundër asaj që në raportin e vitit 2017, Auditori gjeti mangësi në procedimin e pagesave, pasi në 19 pagesa zotimi i mjeteve dhe urdhër blerja ishin bërë pas pranimit të faturës dhe jo në përputhje me rregulloren  01/2013 për shpenzimin e parasë publike. Lidhur me këtë të gjetur, Ministria jo vetëm se rekomandimin e Auditorit nuk e kishte zbatuar, ajo përdori të njëjtë praktikë për realizmin e pagesave edhe në vitin 2018.

“Në 21 pagesa për mallra dhe shërbime, kemi identifikuar se zotimi dhe urdhër blerja ishte bërë pas pranimit të faturës. Një praktikë e tillë po përsëritet vit pas viti për shkak të dobësive në kontrollet e brendshme”, thuhet në raportin e Auditorit për ministrin e Arsimit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018.

Rregulla Financiare nr. 01/2013/MF për Shpenzimin e Parasë Publike, parasheh se fillimisht duhet të procedohet zotimi i mjeteve, lëshohet urdhër blerja, dhe pas pranimit të blerjeve bëhet raporti i pranimit, si dhe pranohet fatura. Mos aplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procesit të pagesave, mund të ndikojë që ministria mos t’i kryej obligimet e faturuara me kohë.

Andaj Ministrit iu rekomandua se duhet të forcoj kontrollet e brendshme dhe nga zyrtarët përgjegjës të kërkoj zbatimin e procedurave, duke filluar nga inicimi i shpenzimeve deri në kryerjen përfundimtare të pagesave.

Auditorit gjatë që nga viti 2014, vazhdimishtë kishte identifikuar dobësi e shkelje në prokurim të bëra nga ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Shkeljet janë përseritur edhe në vitin 2018, kur auditorit kishte identifikuar se janë bërë pagesa për punët të cilat nuk ishin kryer ende.

Ministri iu rekomandua se duhet të siguroj mbikëqyrje më efektive të projekteve në mënyrë që ekzekutimi i punimeve të kryhet në pajtim me kushtet e kontratës dhe pagesat të kryhen vetëm për punët e përfunduara.

Gjithashtu, kishte projekte të tjera në të cilat siguria e ekzekutimit ishte në shpërputhje me kërkesat ligjore.

“Ministri duhet të aplikoj kontrolle përkatëse dhe të siguroj se me rastin e nënshkrimit të kontratave zyra e prokurimit vendosmërisht zbaton kërkesat që siguria e ekzekutimit të mbuloj tërë periudhën e përmbushjes së kontratave.”

Telashet me pasurinë dhe borxhet

Mangësitë në vlerësimin e pasurisë vazhdojnë ta shoqërojnë Ministrin e Arsimit. Në vitin 2017, Auditori gjeti se nëntë programe të MAShT nuk e përdorin programin “E-pasuria”, gjithashtu edhe Universiteti i Pejës dhe i Gjakovës, pasurit mbi një mijë euro nuk i kishin regjistruar në sistemin e duhur, pra në “SIMFK”, rekomandimi lidhur me ketë të gjetur, Ministria nuk e kishte zbatuar fare.

E njëjta rregullore nuk është përfill edhe në vitin 2018.

“MAShT, edhe pse kishte formuar komisionin për inventarizimin e pasurisë, ky komision nuk kishte kryer detyrat siç parashihen me rregulloren për menaxhimin e pasurisë jo financiare, sepse nuk kishte bërë inventarizimin për të gjitha pasuritë sipas programeve, që janë në pronësi dhe kontroll të ministrisë. Po ashtu, nuk kishte bërë identifikimin e pasurisë që nuk ka vlerë të bartur, krahasimin e gjendjes së inventarizuar me gjendjen në regjistrat e pasurive jo financiare, si dhe nuk ishte bërë identifikimin e pasurive të dëmtuara dhe atyre jashtë përdorimit…” thotë në raportin e Auditorit për vitin 2018. Madje, shkaku i mos kryerjes së inventarizimit, sipas Auditorit, ishte mungesa e kompetencës dhe përgatitjet e pamjaftueshme të komisionit për ta bërë inventarizimin e pasurive jo financiare në pajtim me rregulloren.

Ministri iu rekomanduar se duhet të siguroj që çdo fundvit të formoj komisione kompetente të inventarizimit të pasurive në kuadër të të gjitha programeve të ministrisë, si dhe rezultatet e inventarizimit të reflektohen në gjendjen e prezantuar në pasqyra financiare. Po ashtu, në rast nevoje, për anëtarët e komisioneve, të organizohen edhe trajnime të veçanta në mënyrë që procesi i inventarizimit të kryhet me kompetencë dhe në kohën e duhur.

Raporti i Auditorit ka gjetur se ministria përvec që kishte borxhe të pa paguara, kishte edhe prezantim të gabuar të tyre. Kjo shkelje ishte në raportin e vitit 2014 dhe 2017, por ishin përsëritur edhe në vitin 2018.

Auditorit ka konstatuar se mos përfshirja e të gjitha borxheve në Pasqyrën Financiare Vjetore ndikon që obligimet të mos jenë të sakta dhe të plota, dhe ministria rrezikon të bëj pagesa për obligimet të cilat nuk janë raportuar.

“Ministri duhet të siguroj që të gjitha obligimet e papaguara të raportohen në mënyrë të plotë dhe të saktë në PFV, dhe më pas, me prioritet paguhen gjatë muajve të parë të vitit vijues”, rekomandon Auditorit.

Përmes letër konfirmimit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) konfirmon se është pajtuar me të gjeturat e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2018-të, për këtë dikaster.