Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon t’i realizojë 134 auditime

Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se do të realizojë 134 auditime për vitin 2022-2023.

Prej tyre, 113 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), 18 auditime të performancës dhe 3 auditime të pajtueshmërisë.

Njoftimi është bërë në tryezën e organizuar nga ZKA me organizatat e shoqërisë civile, në të cilën u prezantua plani vjetor i auditimit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se për Zyrën Kombëtare të Auditimit është tejet e rëndësishme që të ketë një dialog kuptimplotë dhe efektiv me Organizatat e Shoqërisë Civile me qëllim që puna audituese të ndikojë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike.

Spanca ka ritheksuar se synim i saj dhe i ZKA-së është që organizatat e shoqërisë civile të jenë të përfshira, përveç në propozim të temave të auditimit, edhe në fazat e tjera në mënyrë që të arrihet objektiva e përbashkët, që paraja publike të shfrytëzohet me kujdes dhe për të mirën e qytetarëve.

“Ashtu siç ju kam informuar, dhe për shkak se portofolio kryesore e auditimit është auditimi financiar si rrjedhojë e obligimeve ligjore, jemi të limituar në mbulimin më të madh me auditime të performancës. Pavarësisht kësaj si rezultat i tryezës së fundit, ne kemi përfshirë në Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022-2023 dy tema të auditimit që janë propozuar nga Organizatat e Shoqërisë Civile” – është shprehur Auditorja e Përgjithshme.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, ka prezantuar temat e auditimit të performancës të parapara me Planin Vjetor të Auditimit 2022/2023.

“Në Planin Vjetor të Auditimit 2022/23 do të mbulojmë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturor e sportive si dhe tema të rëndësishme në fushën e prokurimit publik, sistemeve të informacionit dhe projekteve nga donatorët” – ka theksuar ajo.