Qeveria Hoti, me trurin e Haradinajt

Programi i qeverisë Hoti nuk bën ndryshim nga qeverisjet e kaluara, i zhytur në logjikën e asfaltit e projekteve të cilat vet LDK i kundërshtonte zëshëm në fushatën për zgjedhjet e tetorit 2019 dhe pas tyre.

 

Në dy dekada të qeverisjes parlamentare në Kosovë, partitë politike kanë krijuar një ritual i cili ndjek dy hapa. E para, garo në zgjedhje me një program i cili rreh sa më shumë problemin e papunësisë, varfërisë, luftimin e korrupsionit, problemin e vizave, zvogëlimin e ministrive, krijimin e fondeve të reja. Dhe e dyta, sapo të shpallet rezultati zgjedhor, këto programe tjetërsohen duke u bërë të paqarta, të përgjithshme e në shpërputhje të plotë me premtimet elektorale.

Kështu duket të jetë edhe në rastin e qeverisë së re. Në programin 56 faqësh të Qeverisë Hoti të aprovuar javën e kaluar, janë dy pika themelore: luftimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë. Por, masat të cilat parashihen për rimëkëmbjen ekonomike janë kontradiktore: në njërën anë parashihen lirime të mëdha tatimore për biznese dhe subvencione për individë e biznese, e në anën tjetër parashihen investime në autostrada miliardëshe, ndikimi ekonomik i të cilave është i vogël dhe shumica e parave del jashtë vendit.

Në programin e Qeverisë Hoti parashihet mobilizimi i 1.2 miliard eurove për vitet 2020-2021 me qëllim të adresimit të sfidave ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Por në të njejtën kohë parashihet edhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, autostadës së Anamoravës, përfundimin e punimeve në autostradën e Mitrovicës dhe vazhdimin e autostradës në drejtim të Podujevës. 

Autostrada e Dukagjinit me gjatësi 91 kilometra pritet të kushtojë së paku 1 miliard euro, prej të cilave 560 milionë euro për kryerjen e punimeve dhe pjesa tjetër për shpronësim të 40% të segmentit të autostradës e cila bie në prona private. 

Para dhe pas zgjedhjeve të tetorit, LDK dhe kryeministri Hoti zëshëm ishin deklaruar kundër projektit të shumëpërfolur, si për arsyeshmërinë ekonomike e si për nga lista e prioriteteve tjera që ka Kosova. “Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore,” kishte thënë Hoti ndër tjera.

Përfshirja e një projekti aq të kushtueshëm e kontravers nuk mund të shihet ndryshe perveçse akomodim i kërkesat grykëse të ish-kryeministri Haradinaj, i cili në vazhdimësi kishte insistuar në ndërtimin autostradës së mbyllur, ndonëse pa elaboruar arsyeshmërinë ekonomike dhe se pse duhet të mbuloheshin në asfalt tokat bujqësore të Dukagjinit. Pra, Qeveria Hoti, me këtë përkushtim të ri programor, jo vetëm që do t’i pakësonte ndjeshmërisht investimet e tjera kapitale, por edhe do të dilte kundër asaj që proklamonte LDK në zgjedhjet e tetorit, si dhënie  fund i përqëndrimit të politikave investive në asfalt.

Në anën tjetër, pavarësisht jetës së shkurtër që mund ta ketë Qeveria Hoti, nëse AAK e shtyn me shpejtësi tenderimin e autostradës së Dukagjinit, kushdo që do të vinte në pushtet në qeverinë e ardhshme dhe të synonte të anulonte ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, do të mund të rrezikonte ta bënte vendin subjekt të arbitrazheve e humbjeve milionëshe të buxhetit të Kosovës për shkak të detyrimeve kontraktuale që mund të vinin nga nënshkrimi i një projekti të tillë.

Nuk e kemi larg mendjes skandalin kur pikërisht LDK dhe AAK fajësonin njëra tjetrën për pagesën prej 53 milionë eurosh konzorciumit Bechtel-Enka, pikërisht në një autostradë që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Sot, taksapaguesi kosovar e ka ende të mjegulluar e mbase edhe ka kaluar në pluhurin e harresës se pse u paguan 53 milionë euro Bechtel-Enkas dhe kush duhet të mbahet përgjegjës nga dy partitë që sot bashkëqeverisin për milionat e humbura.

Për më tepër, investimi në asfalt në këtë kohë kur pasojat e pandemisë janë të paparashikuara, investimi bëhet edhe më absurd. Pandemia ka ndikuar edhe në rënien e dukshme të të hyrave buxhetore. Në muajin prill 2020 të hyrat vetanake të të gjitha komunave së bashku ishin 1.4 milion euro, apo 81% më pak se në të njejtën peruidhë të vitit paraprak. Kjo ka ndikuar që shumë komuna të planifikojnë shtyrjen apo anulimin e investimeve kapitale. 

Në 16 komuna të kontaktuara nga Instituti GAP është konfirmuar se do të shtyhen ose anulohen 124 projekte kapitale, shuma e përgjithshme e të cilave është 15.8 milionë euro. Ndër komunat të cilat kanë planifikuar zhvendosje të projekteve kapitale janë edhe Istogu e Peja, të cilat nuk do të kenë mundësi që të kryejnë investimet e planifikuara në shkolla, kanalizime, ngrohtore. Por në vend të tyre, Qeveria Hoti parasheh t’u ndërtojë një autostradë. Nëse komunat detyrohen të anulojnë 124 projekte ngase nuk i kanë 15.8 milionë euro, ku është logjika që të investohet në autostrada miliardëshe? 

Ato 124 projekte kapitale do të gjeneronin më shumë punësim dhe do t’i shërbenin nevojave më imediate të qytetarëve se sa autostradat. Andaj, Qeveria Hoti dhe komunat nuk do të duhej të anulonin investimet kapitale si pasojë e pandemisë, por të invetojnë në ato projekte të cilat gjenerojnë më shumë punësim dhe kanë efekt më të madh në rimëkëmbje të ekonomisë.

Por nuk duket të jetë vetëm autostrada e Dukagjinit pjesë e ujdisë ku LDK ka hequr dorë nga premtimet e saj. LDK parasheh “rishikim” të projektit Kosova e Re, në një afat optimal dhe me kosto të përballueshme. Detaje të tjera mungojnë, por çka dijmë është se kompania Contour Global kishte lajmëruar tërheqjen nga projekti pas zgjedhjeve të tetorit për shkak të ndryshimeve politike.

Edhe në këtë pikë, LDK ishte deklaruar kundër vazhdimit të projektit nga Contour Global, ndërsa Haradinaj me ngulm kërkonte vazhdimin e ndërtimit të Kosovës e Re që do të kushtonte poashtu mbi 1 miliard euro. Ndonëse në program nuk ka ndonjë qartësi nëse “rishikimi” i Kosova e Re nënkupton rikthimin në lojë të projektit të Contour Global, mbetet e paqartë se çka në fakt kanë menduar partnerët e koalicionit me rishikimin e projektit Kosova e Re.

Përveç autostradave, edhe në pika tjera të programit qeverisës vërehet ndikimi më i madh i AAK dhe partnerëve më të vegjël të koalicionit se sa programi zgjedhor i LDK. Një nga premtimet e LDK gjatë zgjedhjeve ishte edhe procesi i vetingut në institucionet e gjyqësisë dhe sigurisë. Madje, në cilësinë e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Kurti, Avdullah Hoti kishte votuar që vetingu të jetë pjesë e programit qeverisës. Në anën tjetër AAK e kishte bërë të qartë qysh herët se nuk do të ketë veting në drejtësi. Dhe ashtu ndodhi. Në programin e Qeverisë Hoti nuk parashihet si prioritet dhe as nuk përshkruhet rruga se si dhe kur do të nisë dhe kur do të përfundojë vetingu në gjyqësi, si një nga premtimet kyçe të LDK-së gjatë zgjedhjeve të tetorit.

As në programin e Qeverisë Hoti, ashtu sikurse as në programin e Qeverisë Kurti, nuk trajtohet problemi i skemës pensionale për veteranët e luftës së UÇK, anipse LDK disa herë ka kundërshtuar rritjen e paarsyeshme të numrit të veteranëve. Buxheti për pensionet e veteranëve të UÇK ka arritur në 62 milionë euro në vitin 2020. Në Qeverinë Mustafa, në prill 2017, ishte aprovuar ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për veteranët e luftës, i cili nuk lejon shpenzime më të mëdha se 0.7% të GDP për pensionet e veteranëve. Por për të hyrë kjo rregull në fuqi, parashihet aprovimi i listës përfundimtare të veteranëve, diçka që nuk ka ndodhur as në Qeverinë Mustafa, as në Qeverinë Haradinaj, as në Qeverinë Kurti e nuk parashihet të ndodhë as në Qeverinë Hoti, duke lënë kështu jashtë kontrollit shpenzimet për pensionet e veteranëve. Duhet thënë se Haradinaj kritikonte ashpër gjithë zërat që kërkonin verifikim të listave pas dyshimeve që partitë e krahut të luftës kishin lejuar fryerjen e numrit të veteranëve të luftës.

Edhe përbërja e kabinetit qeveritar më shumë i afrohet qëndrimeve të AAK sesa të LDK. Përderisa LDK premtonte 12 ministri dhe vetëm dy zëvendësministra për ministri, AAK premtonte 15 ministri. Qeveria Hoti tani ka 16 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe nuk dihet sa do të jetë numri i zëvendësministrave.

Në opinion publik është debatuar mjaftë se si Qeveria Hoti është mundësuar nga Presidenti Thaçi që t’ia mundësojë atij vazhdimin e negociatave me Serbinë. Por, me programin qeverisës, Qeveria Hoti ia mundësoi edhe Haradinajt të jetësojë planet për projekte miliardëshe që kalojnë nëpër fushat e bazës së tij zgjedhore. 

Nëse logjika qeverisëse dhe ekonomia si atuja e kryesore e LDK-së iu nënshtrohet planeve të mëdha ekonomike të Ramush Haradinajt siç po vërehen në programin qeverisës, të cilat dikur i kundërshtonte pa hezitim dhe përmes të cilave fitoi vota në tetorin e vitit të kaluar, atëherë kjo tregon katandisjen që e pret vendin nga bashkaqeverisja e partisë më të vjetër në Kosovë me partnerët e saj të vegjël por me apetit të madh.

 

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.