Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.

"Lidhja e shkurtër", ekspozita unike për diversitetin seksual

Në Galerinë e qytetit të Gjilanit, po qëndron e hapur ekspozita e artit bashkëkohor dhe konceptual, “Lidhja e shkurtër”, e krijuesit Avni Rudaku.

Në këtë ekpozitë janë prezantuar 32 instalacione të artit bashkëkohor, me priza e spina, të cilat janë instaluar artistikisht dhe në mënyrë të veçantë në blloqe silkapori, të vendosura në dysheme të Galerisë së qytetit në Gjilan.

Përmes spinave dhe prizave elektrike, kabllove e ngjyrave, Rudaku ka sjellë në tri linja e kohë diversitetin seksual, duke e pasqyruar në kohë dhe në vende të ndryshme, duke shprehur reagimet e llojllojshme ndaj këtij diversiteti seksual dhe ato sjellje që i përgjigjen universalitetit të seksualitetit njerëzor.

“Lidhja e shkurtër” tregon diversitetin seksual nga trajtat më të zakonshme e deri në ato që janë të çuditshme dhe marrin “spoj” (Lidhje të shkurtër) diku, por jo edhe diku tjetër, në një shtet apo kulturë tjetër. Ekspozita “Lidhja e shkurtër” e fillon me instalimin “pedofil” dhe e përfundon me instalimin “disfunksion seksual”, për ta filluar me tronditje dhe çrregullime parafilike, e për ta përfunduar me një gjë: mungesë, vonesë dhe dhembje gjatë përgjigjes seksuale.

Në një bisedë për KALLXO.com, autori i ekspozitës Avni Rudaku, thotë se 32 instalacionet artistike të ekspozuara paraqesin çrregullimet parafilike, sjelljet normale seksuale dhe ato që janë të diskutueshme varësisht nga kultura, vendi, periudha, shteti dhe lloji i sistemit politik dhe shoqëror (diktatura, teokracia, autoritarizmi, konservatorizmi, demokracia liberale dhe joliberale etj.). Disa nga çrregullimet parafilike janë të bazuara në manualet më kredibile botërore dhe versionet më të reja të shoqatave botërore siç është DSM-5 – me tekstin e rishqyrtuar që do të publikohet në fund të muajit mars (DSM-5-TR) nga APA, ICD-11 nga OBSH, manualin e psikiatërve kinezë CCMD-3 etj.

Ai thotë se duke përdorur spinat dhe prizat e rrymës elektrike, formohet tablo e një shtëpie, lagjeje, qyteti, shoqërie, shteti dhe bote multiseksuale, multikulturore, multietnike, që ka spina e kabllo njëfishe, dyfishe dhe shumëfishe dhe po aq priza me vrima, pa nevojën për të marrë domosdo lidhje të shkurtër dhe se ka rrugë të ndryshme për të përçuar energjinë elektrike (seksuale) dhe te secili prej nesh ekziston fantazi se si marrim e japim energji, për të arritur çlirimin seksual dhe për të shmangur lidhjen e shkurtër.

“Por në diçka nuk ka kompromise as në manualet e çrregullimeve: të vuash dhe t’i bësh të tjerët të vuajnë, ose të bësh diçka pa vullnetin reciprok, ose kur dy e më shumë persona, nuk janë subjekte të barabarta në zotësi veprimi dhe aftësi maturimi biologjik, seksual, social dhe psikologjik, apo edhe çrregullimet në marrjen e përgjegjësisë, ku shumica prej personave të prekur nga to, nuk pranojnë se kanë bërë sjellje të tilla e të papërshtatshme seksuale. Për këtë arsye, krejt veprat janë ndarë në disa kategori, duke aluduar në lidhje të kombinuara e të pranuara universalisht gjithkund, ato të pranuara diku e të kundërshtuara diku tjetër dhe çrregullimet parafilike të papranueshme thuajse kudo”, thotë Rudaku.

“Lidhja e shkurtër” shton më tej ai, e konkretizon dramën e seksualitetit njerëzor me të njëjtin medium në 32 instalacione të artit konceptual.

“Njësoj me energjinë elektrike, edhe për energjinë seksuale, ka një mori kërkesash, ndalesash, preferencash e fantazish, deri në çrregullime të koduara nga autoritetet shkencore. Ekziston edhe lidhja e shkurtër në seksualitetin njerëzor, jashtë rrugës së caktuar shoqërore dhe kulturore për t’u furnizuar, eksituar, shprehur e çliruar. Lidhja e shkurtër në seksualitet varet nga: 1) vetëraportimi për vetëvuajtje, 2) raportimi nga të tjerët për vuajtje, 3) hegjemonia dominuese e shumicës, 4) ndikimi nga autoritetet shkencore, 5) kultura… Në shumë teori dhe manuale klinike mbi seksualitetin, hasim shprehje të energjetikës, si: energji, tension, shkarkim, ngarkim, impuls, rënie, ngritje. Prandaj, kështu është emërtuar ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’, për të treguar se disa kombinime bëjnë ‘spoj’ diku, e disa jo, madje në të njëjtin vend mund të ndryshojnë, me kalimin e kohës”, shtoi Rudaku.

Kuratori i ekspozitës “Lidhja e shkurtër” është Abedin Azizi, i njohur si Dini, me katalog nga Migjen Fazliu, menaxhim të projektit nga Avni Shkodra, në kuadër të organizatës për art bashkëkohor, “Varg e Vi”.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 4 prill 2022, në pesë ditë pune të javës, nga ora 9:00-15:00, në Galerinë e qytetit të Gjilanit.

Ekspozita është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe është përkrahur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan.

 

Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.

 

Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.

 

Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.

 

Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.

 

Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.

 

Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’. Foto: KALLXO.com.