Filmi që tregon për 'çikat demelica', trashëgimi apo fyerje për gruan shqiptare

“Dekada më parë një familje kishte një çikë demelicë (dembele). Aq demelicë ishte sa në dy raste e kishte lëshuar (ndarë) burri se nuk prekte punë shtëpie me dorë. Por, njani (njëri), që e kërkoi dhe morie nuse për djalë e disiplinoi. Duke e lënë pa bukë më në fund nusja bëhet e vyeshme (vyer)”.

Ky është pak a shumë tregimi për rrëfimin që pasqyrohet përmes filmit të shkurtër “Çika demelicë”.

Për gati gjysmë orë sa zgjatë filmi, gjithë vëmendja fokusohet tek çika demelicë, deri sa ajo përmes masave ndëshkuese vetëdijesohet për ‘obligimet’ që ka në shtëpinë e burrit.

Filmi është realizuar në kuadër të projektit “Tregime popullore” dhe është transmetuar në DTV (Dasma TV). Projekti “Tregime popullore” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës me 2 mijë euro.

Ndërsa është i qasshëm edhe në youtube dhe që nga koha e transmetimi e deri më tani ka arritur të ketë mbi 700 mijë shikime.

Njëjtë sikurse shumica e komenteve mendon producenti i filmit, që sipas tij filmi ruan dhe promovon trashëgiminë tonë kulturore.

Por, kështu nuk mendojnë studiuesit e trashëgimisë dhe kritikët tanë të filmit. Sipas tyre, filmi flet me përçmim dhe e degradon figurën e gruas shqiptare dhe nuk ka të bëjë me trashëgiminë tonë kulturore.

Përbaltja e gruas shqiptare

Aktorja Vlora Nikçi, hulumtuese dhe studiues e trashëgimisë kulturore thotë për KALLXO.com se për arsye të ndryshme rrëfime të tilla ku cenohet drejtpërdrejtë e drejta e gruas po zënë fill si diçka e mirëqenë në shoqëri.

“Zënë fill shpejtë si diçka e mirë, aq më keq kur nën çkepjen apo plasimin e këtyre tregimeve të rrezikshme, kinse për zhvillimin e shoqërisë tonë, përdoret fjala ‘trashëgimi’”- ka thënë Nikçi.

“Këto tregime të tilla si kjo që pash tani, nuk i përkasin trashëgimisë e as kulturës tonë. Në hulumtimin tim në trashëgiminë tonë kulturore prej shumë vitesh, nuk kam hasur një grua të tillë që paraqitet në këtë tregim. Unë kam hasur një grua tjetër, një grua e cila lufton për të drejtën e saj për dashrinë e saj. Një grua e cila sakrifikon për liri. Gra të tilla duhet t’i kemi shembull sot, në fakt trashëgimia është shembulli jonë më i mirë për të kaluarën tonë”- ka shtuar ajo për KALLXO.com.

Ndërkaq, Reshat Sahitaj, kritik filmi thotë për KALLXO.com se ky film nuk ka koncept regjisorial, është film amator e skena që nuk korrespondojnë me kohë kur janë vendosur ngjarjet.

Sipas tij, në filmin “Çika demelicë” femra shqiptare trajtohet si skllave e burrit dhe familjes së tij.

“Në këtë film, femra shqiptare është skllave të prindërit dhe si skllave shkuesit vinë ta kërkojnë për nuse të djalit. Femra nuk ka mundësi të dashurojë, por symbyllazi i dorëzohet fjalës së babait dhe të shkuesit për t’u shndërruar në skllave të familjes së burrit”- thotë ai.

Kurse, studiuesi Avndi Rudaku thotë se filma të tillë, që trajtojnë tematike nga krijimtaria popullore, nëse nuk trajtohen si duhet nuk kanë diçka artistike.

“Filmi ‘Çika demelicë’ është stereotip gjinor, patriarkal, i ardhur nga ndarja strikte e punëve dhe roleve gjinore në shtëpi dhe punët e shtëpisë. Në atë kohë, ka qenë me rëndësi që gruaja me qenë punëtore, e zellshme, me durim, energji e forcë të pandalshme, pasi që u ka shërbyer ushqimin të gjithëve, përfshirë edhe mysafirëve. Nëse filmi bazohet në tregim popullor, e rëndësishme është të ketë interpretim profesional e artistik, ndërsa nëse bëhet tash, duhet të mos përçojë stereotipa të tillë gjinorë”- ka thënë Rudaku për KALLXO.com.

Por, ndryshme mendon producenti i filmit Ramiz Vitia. Ai thotë se kritikat ndaj episodit “Çika demelicë” që është pjesë e projektit ‘Tregime popullore” nuk qëndrojnë dhe janë joprofesionale.

“Të kritikosh një seri sië është ‘Çika demelicë’ ose nuk dinë çka është filmi e as tregimet popullore dhe mundohen me ndrrua gjendjen e vajzave të vitit 1950 deri ne vitin 1980 e që uroj të kenë shumë sukses. Si producent jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që kam arrit të realizoj një seri javore me emërtimin ‘Tregim Popullor’”- ka thënë Vitia për KALLXO.com

Financimi i filmit

Studiuesit dhe kritikët kanë kritikuare dhe Komunën e Prishtinë që mbështet projekt të tillë, ku vihen në dyshim integriteti i gruas në shoqëri.

“Janë refuzuar ngjarje letrare tradicionale që më vite të tëra i kanë argëtuar dhe freskuar qytetarët tanë, janë refuzuar ngjarje për kushtuar ditës së çlirimit të Prishtinës, janë refuzuar projekte që e lartësojnë jo vetëm Prishtinën por edhe Kosovën, dhe janë përkrahur projekte si ‘Ҫika demelicë ‘ e të tjera të ngjashme”- ka thënë Reshat Sahitaj, kritik filmi.

Por, zyrtarë të Komunës së Prishtinës ka thënë se nuk kanë mbështetur filmin “Çika demelicë”, por nuk kanë treguar se sa para kanë dhënë për projektin “Tregime popullore”.

Edhe producenti Ramiz Vitia ka thënë se komuna nuk ka qenë në dijeni për realizimin e filmit  “Çika demlicë”.

“KK e Prishtinës nuk ka qenë në dijeni për realizimin e serisë ‘Çika Demelicë’ siç nuk ka qenë e informuar as për projektet e publikuara më herët e që janë: ‘Tregim Popullor: ‘Shpërngulja’, ‘Tregim Popullor: ‘Ndarja e vëllezërve’, ‘Tregim Popullor: ‘Falja e djalit’” – ka thënë producenti Vitia.

Ai nuk ka treguar për shumën që komuna ka dhënë për projektin “Tregime popullore”, në kuadër të të cilit projekt është realizuar edhe filmi, “Çika demelicë”.

Po në bazë të listës së përfituesve për mbështetje të projekteve kulturore projekti “Tregime popullore” i “Dasma TV del e ka përfituar 2,000.00 euro nga komuna e Prishtinës.