ETEA në hall me dëmtimin e minibibliotekave në lagjet e Prishtinës

Realizimi i projektit të OJQ-së ‘ETEA’ për vendosjen e 12 minibibliotekave në lagjet të ndryshme në kryeqytet, gjatë 2019-ës ishte përshëndetur nga banorët e Prishtinës. Por, pavarësisht duartrokitjeve dolën edhe probleme.

Hapja e minibibliotekave u përcoll edhe me vandalizëm ndaj tyre. Madje në disa raste ato u dëmtuan pak ditë pasi u hapën. ETEA kishte raportuar rastet e dëmtimeve edhe në polici.

Për fat të keq raportimet për dëmtime vazhduan edhe në 2020-ën, sikurse rasti i minibibliotekës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Pas çdo dëmit ETA ka ndërhyrë duke i rifunksionalizuar minibibliotekat, ndërsa së fundi edhe furnizimin e tyre me libra.

Agon Ahmeti, drejtor i ETEA-s, ka potencuar në një prononcim për Kallxo.com se aktualisht janë 3 minibiblioteka të dëmtuara, si: minibiblioteka e lagjes “Ulpiana”, “Bregu i Diellit” dhe “Qafa”. Ndërsa, minibiblioteka e Parkut “Heroinat” dhe Sheshit “Adem Jashari” ishin jo funksionale për shkak të mungesës së librave.

“Rastet e para të dëmtimeve dhe rrënimeve përgjatë hapjes së minibibliotekave në fundvitin 2019 janë proceduar në Policinë e Kosovës. Këta të fundit janë treguar mjaftë të kujdesshëm dhe shpresëdhënës në fillim, mirëpo që nga ajo kohë nuk kemi pranuar asnjë informacion nga policia. Duke parë rrezikun që i kanosej minibibliotekave, ne si organizata partnere jemi pajtuar që disa prej minibibliotekave t’i zhvendosim në lokacione të vëzhguara nga kamerat e lokaleve përreth, me ndriçim më të mirë dhe më të frekuentuara nga qytetarët”, ka thënë Ahmeti.

Vendimi për zhvendosjen e minibibliotekave, sipas tij, ka rezultuar kryesisht i suksesshëm, pasi ka rënë intensiteti i sulmeve ndaj minibibliotekave.

“Gjithsesi ato nuk kanë arritur të ndalen në tërësi. Ne, vazhdimisht jemi përballur me sulme dhe dëme të minibibliotekave dhe me kapacitetet tona kemi intervenuar sa më shpejt që kemi pasur mundësi. Rasti më i rëndë është rrënimi përtokë i minibibliotekës së lagjes ‘Ulpiana’ dy herë radhazi brenda 10 dite. Më datë 12 shkurt 2020 ka ndodhur rrënimi i parë. Menjëherë të nesërmen ne e kemi rinovuar pa e bërë lajmin publik. Por, duket se dashakeqësia është kunguese, pasi më datë 21 shkurt 2020 po e njëjta minibibliotekë rrënohet përtokë sërish”, ka thënë ai.

Ky akt ka bërë që ETEA të shqyrtojë mundësinë që kjo bibliotekë të zhvendoset në një vend më të përshtatshëm.

“Si përfundim, ne si organizatë do të marrim masat e nevojshme për t’i renovuar të gjitha minibibliotekat ditëve në vijim dhe tashmë, së bashku me partnerët tanë, Librarinë ‘Dukagjini’ dhe Kuvendin Rinor të Prishtinës kemi siguruar një fond të librave prej rreth 300 sosh, të cilat do t’i shpërndajmë në minibiblioteka ditëve në vijim”, ka thënë Ahmeti

Dëmtimi i minibibliotekave është komentuar edhe krijuesit dhe njerëzit e kulturës.

Ben Apolloni regjisor, ka thënë se dëmtimi i minibibliotekave është edhe një dëshmi se libri, dija, siç ka thënë ai, në këtë vend nuk janë të mirëpritur.

Apolloni ka fajësuar politikën për të këqija që po ndodhin në vend.

“Politika e ka shndërruar këtë vend në një kënetë injorantesh, armiq të librit, dijes dhe njerëzve të ditur. Kështu si minibibliotekat, në këtë vend trajtohen edhe ata pak njerëz që lexojnë, ata pak intelektualë. Ky gjest, thjesht plotëson atë imazh që politika jonë ka punuar për ta krijuar gjatë këtyre 20 vitesh të pasluftës”, ka thënë ai.

Kurse shkrimtari Avni Rudaku, ka dhënë disa arsyet për vandalizmin ndaj minibibliotekave në kryeqytet.

Sipas tij, shkatërrimi mund të shihet edhe si pasojë e situatës së përgjithshme socio-kulturore që po kalon vendi, kur libri dhe lexueshmëria janë jashtë vëmendjes së përgjithshme.

“Koncepti i gabuar i institucioneve kosovare, që thonë për këto raste se, ka qenë “papërgjegjësi qytetare”, duke mos e kuptuar se prona private dhe publike, duhen të ruhen nga policia e Kosovës, dhe në rast të dëmtimit, duhet filluar me procedurat e hetimit dhe ndjekjes deri në fund, e më pas, dënimit nga gjykata me gjoba dhe siç parashihet me ligj”, ka thënë Rudaku.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi Rinor i Prishtinës, në bashkëpunim me librarinë ‘Dukagjini’ dhe Komunën e Prishtinës, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë.