Foto: REL

Analistët: Pasqyrim zhgënjyes i kulturës në programet e partive politike

Pasqyrimi i kulturës në programet e partive politike është shumë i zbehtë dhe në shumë raste edhe i papërfillshëm.

Fushatat zgjedhore e partive për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ka arritur kulmin dhe partitë politike për njohësit e fushës së kulturës nuk ofrojnë programe të zbërthyera në mënyrë profesionale, serioze e të sinqertë, në asnjë fushë, e lëre më kulturë.

Kështu kanë thënë analistë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend lidhur me ofertën e partive politike sa i përket vizionit të tyre për kulturën në vitet e ardhshme- qeverisëse, sidomos, sfidat e shumta në fushën e trashëgimisë kulturore.

Sipas analistëve, deri më tani nuk është parë ndonjë program i ndonjë partie politike që do të ishte bindës në zgjidhjen e shumë problemeve në fushën e kulturës.

Ylber Vokshi, ekspert i trashëgimisë monumentale, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se programet e partive politike, që nga pas lufta, sa i përket kulturës dhe trashëgimisë, më shumë kanë qenë ’fontanë dëshirash’ se sa rezultat i plotësimit të kërkesave reale.

Të tilla, ka thënë ai, janë edhe programet e këtyre zgjedhjeve që edhe një herë tregojnë jo seriozitetin e qasjes së tyre ndaj problematikës kulturore.

“Si të shpjegohen sjelljet e tyre ndaj inkuadrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si UNESCO, bashkëpunimi formal dhe i varfër me Shqipërinë dhe shtetet tjera, mos kthimi i artefakteve të uzurpuara nga Beogradi, që 20 vjet, mos kundërvënia me argument ndaj politikave agresive të Beogradit, posaçërisht në fushë e trashëgimisë kulturore”, ka potencuar Vokshi.

Po sipas tij, për keqardhje është edhe mënyra se si trajtohet problemi i funksionimit të institucioneve kulturore në hapësira jo adekuate dhe mungesa e infrastrukturës, sidomos siç ka thënë ai, ri-destinimin – refuzimin e një donacioni për ndërtimin e një salle koncertale në Prishtinë.

“Jam skeptik që këto programe kulturore sadopak të realizohen pasi nuk është në pyetje mungesa e mjeteve buxhetore, që e kanë shprehi të arsyetohen, por menaxhimi kriminal dhe mendësia primitive e të menduarit dhe vepruarit, për kalkulime të ndryshme partiake dhe politike, fare duke mos u brengosur për interesat shtetërore”, ka thënë Vokshi, ekspert në trashëgiminë monumentale.

Ndërsa, regjisori Kushtrim Koliqi ka potencuar për Kallxo.com, se partitë politike në mënyrë sipërfaqësore shumë shpejt edhe tërësisht jo ekzistente e trajtojnë kulturën në programet e tyre.

Koliqi, ka shtuar  se kjo është një indikacioni se si partitë politikë e shohin rëndësinë e kulturës, sidomos rëndësinë e impaktit të kulturës në zhvillimin e shoqërisë.

“Kjo është për keqardhje që disa politikanë që kulturën e kanë në gojën e tyre  vetëm kur vejnë ndonjë pop -star i huaj apo lokal, ndërsa shumë pak planifikojnë – mendojnë strategjikisht për trajtimin e sfidave që i kanë fushat e ndryshme kulturore në Kosovë”, ka thënë Koliqi.

Sipas tij, edhe atëherë kur partitë politike, përmes përfaqësuesve politik mundohet për Kulturën, edhe ajo, siç ka thënë regjisori Koliqi, prekje është shumë  sipërfaqësore dhe ky është tregues se sa të pa informuar janë ato (partitë politike) për problematika që ballafaqohet kultura në Kosovë.

“Kjo është e trishtueshme sepse nuk di si mendon kjo klasë politike me zhvillu një shoqëri si duhet pa një kulturë të fort, pa pasur një edukim të fortë.  Edhe pse partitë politike kanë involvuar në vete artistë dhe njerëz me bagazh artistik zëri i tyre është shumë i zbehtë dhe i izoluar”,  ka pohuar regjisori Kushtrim Koliqi, për Kallxo.com.

Krijuesi Avni Rudaku, ka thënë për Kallxo.com se partitë politike nuk kanë programe të zbërthyera në mënyrë profesionale, serioze e të sinqertë, në asnjë fushë, e lëre më kulturë.

Ai ka thënë se deri tash nuk ka dëgjuar e parë asnjë program të asnjë partie politike, e që do të ishte bindëse në zgjidhjen e shumë problemeve në fushën e kulturës.

“Partitë mjaftohen të marrin disa artistë dhe të thonë: kemi programe për kulturë! Tjetër: edhe kur hynë artistë, po hynë vonë në parti, dhe fare pak angazhohen në shkrimin e programit. Mënyra e hartimit po ashtu bëhet pa takuar komunitetin e artistëve dhe artdashësve, duke mos u zhytur në identifikimin e problemeve reale”, ka thënë Rudaku.