Mbeturinat e hedhura në një lum në Dragash. Foto: Kallxo.com

Komuna me Potencial Turizmi, e Mbytur nga Bërlloku e Papunësia

Kjo komunë me një buxhet prej mbi 6,2 milionë euro, pjesën më të madhe e shpenzon për paga, mallra dhe shërbime, ndërsa vetëm 1,3 milion euro shkojnë në investime kapitale.

Në vitin 2016 janë realizuar të hyra vetanake prej 131 mijë euro, që janë shumë pak krahasuar me komunat tjera.

Gjëja e parë që sheh kur hyn në këtë zonë janë deponitë e bërllokut afër lumenjve. Hulumtimi në terren i KALLXO.com, dëshmon për gjendjen e rëndë të ambientit në zonën malore të Dragashit, pasi atje mbeturinat dhe ujërat e zeza shkarkohen nëpër lumenj.

Lumenjtë që kalojnë përmes fshatrave Bellobrad, Rapçë, Bresanë, etj, janë të  shndërruar në deponi të mbeturinave.

Bërlloku i hedhur nga vetë banoret në fshatin Bellobrad,. Dragash. Foto: Kallxo.com

Banorët e këtyre fshatrave kanë dhënë informacione se, disa nga banorët i hedhin vetë mbeturinat dhe bëjnë thirre nga komuna që të angazhohen inspektor për t’i dënuar qytetarët e papërgjegjshëm.

E në fshatin Brezne kanalizimi përfundon në mes të fshatit, në rastin më të mirë nëpër kolektorët privatë të ndërtuara nga vetë familjet. Në këtë fshat problemi më i madh është kur ka reshje të shiut, e ujërat e zeza dalin në mes të rrugës.

Uji

Dragashi ka telashe të furnizimit me ujë edhe pse kanë burime të shumta të ujit nëpër bjeshkët e Sharrit. Pjesa më e madhe e fshatrave kanë rrjet të ujësjellësit, mirëpo kanë furnizim me ujë vetëm 2-3 orë brenda ditës. E shumë fshatra as që e përdorin ujin për pije shkaku i papastërtisë, por obligohen të furnizohen nëpër burime.

Auditori ka gjetur se vetëm 78% e buxhetit për investime kapitale është shpenzuar, pasi projekti i Ujësjellësit kryesor që ka qenë i planifikuar me vlerë 500,000 euro, nuk është realizuar për shkak të ankesave në OSHP.

Arsimi

Komuna e Dragashit është e ngritur në kufi ndërmjet dy trojeve të Opojës dhe Gorës.

Të dy etnitetet kanë gjuhë të ndryshme. Opoja me shumicë shqiptare dhe Gora me shumicë gorane.

Problemet në arsim i kanë të natyrës politike dhe infrastrukturore.

Hulumtimi i KALLXO.com, tregon se në këtë komunë ka shkolla që e aplikojnë plan-programin paralel.

Në Komunën e Dragashit vazhdojnë të jenë prezente strukturat paralele të Serbisë, ku mësimi zhvillohet sipas plan programit të Qeverisë së Serbisë dhe në gjuhën serbe.

Përveç kësaj, nëpër disa fshatra, mësimi vijon vetëm deri në klasën e 5-të, e nxënësit nga klasa e 6 e deri në klasën e 9 obligohen të ecin në këmbë deri në 6 kilometra në ditë për të vijuar mësimet në shkollën më të afërt.

Këto probleme janë parë nga KALLXO.com, në fshatrat Zaplluxhë, Zym dhe Brezne, ku fëmijët ecin nëpër rrugë që nuk kanë trotuar dhe është nëpër zona malore ku ka rrezik nga makinat dhe qenët endacak.

Fëmijët duke shkuar në shkollë, fshati Zaplluxhë, Dragash. Foto: Kallxo.com

Në anën tjetër në Dragash, nxënësit vijojnë mësimet në shkollën e vjetër të gjimnazit “Ruzhdi Berisha”, pasi shkolla e re nuk është funksionale as pas 8 vjetëve që kur ka nisur ndërtimi i saj.

Shkolla në fshatin Rapçë, Dragash, që punon me planprogram të Serbisë, me rreth 70 nxënës. Foto: Kallxo.com

Infrastruktura dhe urbanizmi

Riparimi i rrugëve në Dragash është telashe tjetër pasi ato nuk riparohen me kohë.

KALLXO.com, ka shkruar për pishat e mbjella në gropa të asfaltit, nga banorët të cilët edhe kanë treguar kreativitetin e tyre dhe kanë përcjellë mesazh në organet kompetente që gropat të mbyllen dhe të shmangen rreziqet.

Asfalti i dëmtuar në fshatin belobrad, Dragash. Foto: Kallxo.com

Shëndetësi Sociale

Nëse në këtë komunë dikush ka nevojë t’i drejtohet gjinekologut, nuk mundet sepse gjinekologu që e ka mbajtur këtë detyrë ka dalë në pension.

Ndërkohë, kjo komunë ka papunësi të madhe dhe fshatrat janë duke u zbrazur.

Vetëm në fshatin Rapçë, të banuar me goranë, nga 1,530 banorë kanë mbetur vetëm 300. Gjithë rinia, sipas banorëve, kanë dalë në vendet europiane për të punuar si pasojë e varfërisë. Në këtë fshat ka edhe banorë që jetojnë në kushte të mjerueshme.

Objekti ku disa familje jetojnë, në rrezik të shembjes. Foto: Kallxo.com

Kryetari aktual i kësaj komune është Selim Jonuzaj nga PDK, ndërsa kandidatët që po garojnë për zgjedhjet e 22 tetorit janë Admir Šola nga Jedinstvena Goranska Partija, Fatmir Halili nga Nisma, Samidin Dauti nga Vetevendosje, Selami Saiti nga AAK, Šerif Aga nga Koalicija Vakat, Selim Kryeziu nga LDK dhe Shaban Shabani nga PDK.

Kjo komunë përveç se nuk ka zyrtarë për informim, nuk ka asnjë drejtoresh grua e as kandidate për kryetare të komunës.