Komuna e Vushtrrisë shpenzon 140 mijë euro për studimin mbi ndikimin e COVID-19

Komuna e Vushtrrisë do të shpenzojnë 140 mijë euro për të bërë një studimin mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në këtë qytet. Komuna që udhëhiqet nga Xhafer Tahiri e ka nënshkruar kontratën me kompaninë “M Holding” për të kryer një studim në lidhje me ndikimin që ka pasur pandemia COVID-19 në këtë qytet.

Sipas kontratës, Komuna ka kërkuar të ketë një pasqyrë reale se si ka ndikuar pandemia në ekonominë lokale dhe familjare, sfidat me të cilat përballen bizneset.

“Me qëllim të identifikimit të ndikimit të pandemisë në ekonominë e komunës tonë, e ne veçanti për të krijuar një pasqyrë për asistencën e nevojshme që akterët dhe operatorët ekonomik në komunën tonë e kanë të domosdoshme për mbijetesë dhe normalizim, jemi të detyruar që sa më parë të iniciojmë procesin për identifikimin dhe hulumtimin e ndikimit të pandemisë COVID-19”, thuhet në mes tjerash në arsyetimin e Komunës së Vushtrrisë për nënshkrimin e kësaj kontrate.

Në komunën e Vushtrrisë thonë se kriza pritet të ketë ndikime të mëdha sociale dhe ekonomike.

“Sfidat do të jenë veçanërisht të rënda për bizneset e vogla dhe të mesme (NVM) dhe familjet në nevojë, të cilët jetojnë me burime të ardhurash të përditshme.  Andaj, vlerësimi i shpejtë i ndikimit të pandemisë COVID-19 është i rëndësishëm për të kuptuar shtrirjen dhe dallimin e ndikimeve sistematike të krizës, ndikimin e tij në ekonominë familjare dhe bizneseve lokale të komunës së Vushtrrisë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të Komunës së Vushtrrisë.

Kjo komunë ka thënë se informacionet e siguruara nga ky hulumtim do t’i nevojiten për të parë nevojën për ndërhyrje dhe të ndihmojë komunën që të bëjë kërkesa në qeveri e tek donatorët për adresim të dëmeve.

Ndonëse Komuna e Vushtrrisë ka shpenzuar 140 mijë euro për të parë ndikimin e pandemisë, ajo ka shpenzuar veç 34 mijë euro më shumë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që nga fillimi ia pandemisë.

“Komuna e Vushtrrisë deri më tani ka shpenzuar 174,650.43€ për të ju dal në ndihmë qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Komunës për KALLXO.com.

Në shpenzimet e Komunës së Vushtrrisë për t’u dal në ndihmë qytetarëve përfshihen pakot ushqimore, pakot higjienike, maska dezinfektues si dhe dezinfektimi i qytetit dhe hapësirave publike.

Ndonëse do t’i shpenzojë 140 mijë euro për këtë projekt, Komuna nuk e sheh të shtrenjtë, por thotë se është çmim i arsyeshëm.

“Kemi pranuar oferta nga operator të ndryshëm të sektorit privat dhe ofertat bazuar në nevojat dhe kërkesat e Komunës së Vushtrrisë ishin me vlera shumë më larta por e kemi negociuar marrëveshjen gjithmonë bazuar në Ligjin për prokurimin publik të Republikës së Kosovës dhe kemi kursyer mjete duke e realizuar kontratën suksesshëm me çmime të arsyeshme për komunën”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

“Marrë parasysh të gjitha aktivitete që ka për obligim kompania e kontraktuar në besojmë se çmimi është i arsyeshme dhe i favorshëm për Komune e Vushtrrisë sepse ka qene domosdoshmëri e kohës në të cilën po përballemi”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës.

Për këtë projekt të Komunës së Vushtrrisë kishin aplikuar 3 kompani.

Deri më tani në Kosovë janë infektuar 15 mijë e 574 persona, ku kanë vdekur 625 persona dhe janë shëruar 13 mijë e 492 persona.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.