Foto: REL/AFP

Kërkesat e Kosovës dhe Serbisë në dialog, e mbajnë ende larg përmbylljen e marrëveshjes

Dialogu Kosovë – Serbi duhet të përmbyllet këtë vit, por kjo varet nga vullneti i dy palëve se sa janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Vullneti i dy palëve sipas analistëve, është i qartë ku Kosova kërkon njohjen reciproke ndërsa Serbia kërkon të cenojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe kjo sipas tyre tregon që marrëveshja mund të jetë ende larg.

E fundin e vitit për përmbylljen e dialogut me njohje reciproke, e ka përmendur dje gjatë një emisioni televiziv Xhavit Beqiri, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti.

Ai tha se kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kanë thënë se dialogu me Kosovë-Serbi duhet të përfundojë deri në fund të vitit dhe se dialogu nuk duhet të jetë i pafund.

Ndërsa, Beqiri tha se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Të gjitha tematikat që do të shtjellohen dhe të gjitha marrëveshjet tjera eventuale do të bien në ujë nëse nuk ka njohje nga Serbia”, kishte thënë ai.

Violeta Haxholli hulumtuese në KDI, ka thënë për Kallxo.com, se edhe më herët ka pasur përpjekje të ndërmjetësve të dialogut dhe Bashkimit Evropian dhe me aktivizimin e Shteteve të Bashkuara në këtë proces që dialogu Kosovë – Serbi pra normalizimi i marrëdhënieve të përmbyllet sa më parë.

Haxholli tha se përmbyllja e dialogut vitin që shkoi nuk ka ndodhur për shkak se krejt kjo varet nga vullneti i dy palëve pra Kosovës dhe Serbisë se sa këto janë të gatshme të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Haxholli nuk shprehet e bindur nëse marrëveshja përfundimtare do të arrij të përmbyllet këtë vit.

“Pavarësisht takimeve intensive, po diskutohen edhe elementet e marrëveshjes përfundimtare, Në Uashington u arrit edhe një marrëveshje për normalizim ekonomik, unë prapë mendoj se arritja e një marrëveshje finale Kosovë – Serbi ende është larg për shkak se problemet Kosovë Serbi janë shumë të komplikuara dhe dy palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket asaj se si duhet të duket normalizimi i  marrëdhënieve mes dy vendeve dhe si duhet të duket një marrëveshje finale”, tha Haxholli.

Sipas Haxhollit, ka disa çështje të hapura mes Kosovës dhe Serbisë për të cilat palët ende nuk kanë  arritur dakordim dhe do të jetë e vështirë të arrihet dakordim.

“Kjo kryesisht për shkak të pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën dhe kërkesave të saj të cilat pala kosovare vështirë se do të mund t’i realizoj për shkak se kërkesat e Serbisë cenojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, shtoi ajo.

Haxholli ka shtuar se është e vështirë të parashikohet ky proces për shkak se sipas saj kjo varet nga vullneti i Kosovës dhe Serbisë se sa ato janë të gatshme për të arritur një dakordim për normalizim të marrëdhënieve që qojnë deri te njohja reciproke.

“Është vështirë të thuhet por BE ka për qëllim që palët të përmbyllin procesin e normalizimit që është edhe kusht për Serbinë për integrim evropian”, përfundoi ajo.

E analisti Ramush Tahiri, tha për Kallxo.com se dialogu me Serbinë duhet të përfundoj dhe mundet të përfundohet brenda këtij viti pasi sipas tij nuk ka më elemente të reja që munden me befasu njëri tjetrin dhe se secila palë e din çka po donë.

“Kosova po e donë njohjen, e Serbia pi donë disa të drejta të komunitetit serb dhe me marrë një pjesë të territorit të Kosovës.  Një pjesë të Kosovës po donë me marr ose fizikisht ose me marr përmes Zajednicës ose autonomisë e cila për një pjesë të territorit të Kosovës përgjigjet Serbia ose është bashkëhisenik Serbia”, tha ai.

Sipas Tahirit, Kosova ka pranuar të bisedoj për çështje të brendshme me Serbinë që sipas tij ka qenë gabim.

“Kosova e ka pas si mbrojtje edhe pakon e Ahtisarit dhe nëse Ahtisari nuk ka dhënë ma shumë Kosova pse duhet me dhanë ma shumë. Marrëveshja bëhet sivjet nëse Serbia e njeh Kosovën dhe çdo gjë e rregullojmë si dy shtete sovrane e të pavarura”, shtoi Tahiri.

Tahiri mendon se marrëveshja përfundimtare është në vullnetin e Kosovës dhe elitës së saj.

“Kosova duhet me bo të qartë mos me lëshu pe dhe Serbia nuk ka alternativë  tjetër veç ta njeh Kosovën dhe me marr garanci ndërkombëtare që janë të parapamë edhe me pakon e Ahtisarit. Njohja bëhet vetëm në këtë formë”, tha Tahiri duke shtuar se nëse ka njohje nga një shtet nuk do të thot që duhet Kosova ti jap diçka shtetit që e njeh.

Tahiri tha se marrëveshja duhet me u përmbyll por Kosova sipas tij nuk duhet të lëshoj pe dhe nuk duhet të bisedoj me Serbinë për çështje që i ka të ndaluara me Kushtetutë dhe që janë çështje të brendshme.

“Kosova nuk duhet ti jap kurgjo më shumë Serbisë sesa që i ka dhënë Ahtisari sepse me Ahtisarin ne e kemi shpall Pavarësinë. Dhe për Serbinë ne nuk mundemi më me i nëdrru Kushtetutën dhe ligjet. Kosova duhet me qenë shumë e vëmendshme mos me dhënë shpresa të rrejshme, ndërsa Serbia nuk ka alternativë veç se me njoftë Kosovën”, tha Tahiri.

 

Vlerësimi i opozitës për fundin e dialogut

Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje, vlerëson se qeverisja aktuale nuk është legjitime për përfaqësimin e Kosovës në dialog.

“Ne nga fillimi kemi kërku legjitimitet të ekipit që na përfaqëson atje sepse këta nuk janë legjitim prandaj nuk kanë të drejtë ta përfaqësojnë Kosovën në çështje kaq të rëndësishme. Ne kemi kërkuar platformë rregullisht, nëse po shkojmë kah fundi cili është ai fund”, tha Çeku.

Çeku shtoi se njohja e Kosovës nga Serbia nuk po vendoset si kusht por si synim final.

“Nëse fundi sipas zoti Hoti është njohja reciproke këtu qartësisht kemi një problem sepse njohja nuk po vendoset si kusht po si synim final. Ka shumë paqartësi, ka mungesë të transparencës, ka shumë improvizime, ka edhe një element që e kemi vërejtur dje në raportim të zotit Hoti. Aty  vetëm raportim nuk kishte, aty u kuptu që këta nisen në negociata pa e ditë cila është agjenda e çka i pret ata aty. Nuk kanë fuqi negociuese as për ta heq ndonjë pikë të dëmshme nga marrëveshja. Këta pranojnë çka i servohet në tavolinë dhe kjo përbën rrezik serioz për unitaritetin e shtetit të Kosovës edhe për kushtetutën’, tha ai në pyetjen e Kallxo.com në një konferencë për media.

Enver Hoxhaj deputet i PDK-së, ka thënë për Kallxo.com se qëndrimi i PDK-së ëstë që dialogu të afatizohet në kohë dhe në qëllime.

Sipas Hoxhaj sa më gjatë që dialogu vazhdon me tema teknike dhe çështje teknike aq më shumë i larohemi kohës dhe qëllimit të marrëveshjes për njohje reciproke.

“Ne e mbeshtesim qëndrim amerikan dhe evropian që dialogu duhet të përfundoj brenda një afati kohor, por unë nuk mund të flas në emër të tyre se cfarë ata mendojnë”, tha Hoxhaj.