Hartimi i ligjit të ri për teatrot me 'hapa breshke'

Edhepse ishte premtuar se në qershor të këtij viti do të ishte gati projektligji i ri për teatrot në vend dhe më 17 korrik ai të dërgohet për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, një gjë e tillë vështirë se do të arrihet.

Grupi punues për hartimin e këtij projektligji ende nuk ka mbajtur takime për miratimin e draftit përfundimtar të këtij projektligji, i cili është paraparë që në korrik të jetë në kuvend.

Zyrtar të MKRS kanë pohuar për Kallxo.com se projektligji është në fazë përfundimtare, por nuk kanë treguar se kur ky projektligj do të dërgohet në Kuvend për miratim.

Në anën tjetër krijuesit dhe njerëzit e teatri presin një seriozitet më të madh të MKRS kur është në pyetje ky draft ligj, duke ditur edhe gjendjen aspak të mirë të teatrove kosovare.

Rruga deri në Kuvend

Samir Hoxha, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për teatro është në fazën finale dhe i njëjti është duke u konsultuar me akterët tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në hartimin e tij.

“Pas konsultimeve që do të zhvillohen ky projektligj do të përcillet për aprovim në Qeveri”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana” të Ferizajt dhe kryetar i Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës, ka pohuar për Kallxo.com se informacionet që ata kanë, janë se projektligji për teatrot është paraparë që më 17 korrik të jetë në Kuvendin e Kosovës.

“Mirëpo ende ne nuk e kemi mbajt takimin e grupit punues për dhënien e draftit përfundimtar të këtij ligji”, ka thënë ai.

Ndërsa regjisori, Ben Apolloni, ka pohuar për Kallxo.com se MKRS nuk është treguar serioze në asgjë që ka të bëjë me kulturën, e siç ka thënë ai, edhe as për ligjin për teatrot, as për asgjë.

“Bile mendoj që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të riemërohet Ministria e Rinisë dhe Sportit. Për kulturë askush asgjë nuk ka bërë, e nuk po bën”, ka thënë Apolloni.

Edhe krijuesi Bujar Meholli sheh mungesë serioziteti nga ana e institucioneve kur është në pyetje bërja e ligjit të ri për teatrot.

Në një prononcim për Kallxo.com ai ka thënë se MKRS-ja është duke e përgatitur koncept dokumentin për t’i hap rrugën ligjit të ri, u përfol kohë më parë ku thuhej se ky ligj i ri për teatrot do të jetësohet gjatë pjesës së parë të vitit 2019.

“Teatrot publike të qyteteve kosovare, vërtet janë në gjendje të rëndë; buxheti i tyre është i vogël dhe mbështetja komunale e kufizuar, prandaj ligji në fjalë mendohej t’i përmirësonte kushtet dhe të rriste buxhetin, në mënyrë që këto teatro publike të largoheshin nga amullia që i ka përfshirë tash sa kohë”, ka thënë ai.

Ndryshim plotësimi i ligjit për teatrot është iniciuar nga Asociacioni i Teatrove të Qyteteve të Kosovës, pas mangësive të evidentuara që ka ky ligji, sidomos funksionimit të teatrove publike të qyteteve të Kosovës.