Komuna e Shtimes - Foto: KALLXO.com

Gabime në llogaritje të pagave dhe tatimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit, në bazë të raportit të saj vjetor, ka njoftuar se Komuna e Shtimes nuk ka shfrytëzuar sistemin e-pasuria për të regjistruar pasuritë jo kapitale të saj.

Sipas ZKA-së, regjistrimi i pasurive jo kapitale është bërë në një regjistër të formës Excel, ndërsa vlera e pasurive jo- kapitale në Pasqyrave Financiare Vjetore është 513 mijë euro.

“Shumica e pasurisë jo kapitale në këtë regjistër ishin të regjistruara pa numër të faturës (dokumentit burimor), si dhe nuk ishte i regjistruar viti i përfitimit dhe rrjedhimisht nuk kemi siguri tek llogaritja e zhvlerësimit. Me tutje, shumica e pasurisë jo kapitale janë regjistruar në bazë të vlerës se dhënë nga komisioni i vlerësimit dhe jo sipas kostos historike (faturës se blerjes), si dhe gjendja e stoqeve nuk ishte e saktë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Gjithmonë sipas raportit për shkak të mangësive në këtë regjistër, nuk është arritur përcaktimi  nëse zhvlerësimi i llogaritur dhe respektivisht vlera blerëse dhe ajo neto e pasurive e shpalosur në pasqyra është e saktë.

Po ashtu sipas raportit, Komuna e Shtimes, nuk ka shpalosur fare detyrime kontingjente, derisa sipas konfirmimit nga avokati i komunës, vetëm për lëndët gjyqësore që komuna posedonin vendime të gjykatës themelore (të cilat janë në procedurë të apelimit) arrijnë vlerën 32 mijë e 555 eurove.

Një çështje tjetër e ngritur në raportin e ZKA-së, është edhe kontrollimi adekuat në regjistrimin dhe raportimin e të hyrave.

“Të hyrat nga shpronësimi i tokave prej 88 mijë e 185 euro ishin regjistruar gabimisht në kodin ekonomik “taksë për ndërrim destinimi të tokës” dhe dy fatura në vlerë 111 eurove ishin regjistruar gabimisht në kodin ekonomik “taksa për leje ndërtimi”, derisa të hyrat i takonin shërbimeve për gjeodezi”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rrezikshmëria e kësaj çështjeje sipas ZKA-së rrit pasqyrimin jo të drejtë të hyrave sipas kodeve ekonomike dhe rezultojnë me shpalosje të pa saktë të tyre në pasqyra financiare.

Parregullsia në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë është një e gjetur tjetër e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe sipas kësaj të fundit Komuna e Shtimes nuk kishte arritur të siguroj kontrolle të mjaftueshme në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë.

“Në një rast nuk janë aplikuar normat e duhura tatimore bazuar në kategorinë e pronës, të rregulluar sipas nenit 1, pika 1.2 e rregullores së komunës për Tatimin në Pronën e Paluajtshme për vitin 2017. Kategoria e pronës ishte vlerësuar si industri/punishte, me norma tatimore 0.18%, derisa rregullorja parasheh normën 0.15%, në një pronë tjetër, kategoria e pronës afarizëm-depo/magazine, është vlerësuar metri katror me 150€ si pronë industriale, në kundërshtim me nenin 3 të rregullores së komunës pika 3.4.3 ku vlera për m2 e pronave komerciale është 250€/m”, thuhet në raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur se në 19 raste, tatimpaguesit kanë marrë më shumë se një numër identifikues, për shkak të regjistrimit të dy ose më shumë pronave. Kjo sipas ZKA-së ka vështirësuar konfirmimin e zbritjes prej 10,000€ për banim kryesor, si dhe ka rrit në mënyrë fiktive numrin e tatimpaguesve në sistem.

ZKA parasheh rrezik për mangësitë e identifikuara pasi që këto të fundit ndikojnë në kalkulim jo të saktë dhe të parregullt të ngarkesave për qytetarin. E gjithë kjo ndikon në normën reale të mbledhjes së tatimit në pronë.

ZKA ka hasur edhe në gabime në llogaritjen e pagave për stafin e arsimit në Komunën e Shtimes.

“Për pozitën “Mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale”, provoja e punës nuk ishte kalkuluar saktësisht duke ndikuar në mbivlerësim të pagesës. I punësuari kishte ofruar vërtetimin mbi përvojën e punës për dy vite rresht në dy shkolla, dhe komuna kishte pranuar gabimisht katër vite provojë pune”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Po ashtu për pozitën administrator në shkollën “Lasgush Poradeci Muzeqinë-Shtime” shtesa e kualifikimit ishte 55 euro, ndërsa komuna kishte paguar sipas listës së pagave 72 euro, apo 17 euro me shumë se vlera e parashikuar në kontratë.

“Rreziku në mangësitë e identifikuara mund të rezultojnë me pagesa të parregullta si dhe të ngarkojnë shpenzimet e pagave më shpenzime të paarsyeshme”, ka llogaritur rrezikshmërinë ZKA, duke rekomanduar se kryetari duhet të siguroj se janë eliminuar të gjitha gabimet në listat e pagave, në mënyrë që pagesa e pagave të bëhet në përputhje me rregullat ne fuqi.

Rekrutimi i stafit arsimor sipas konkursit për mësimdhënës të mësimit klasor në një shkollë fillore në Shtime, ZKA sipas gjetjes së saj, ka thënë se është hasur në dobësi të zbatimi të procedurave të rekrutimit.

“Komuna nuk kishte marrë aprovimin në Ministria e Financave që pozita është e lirë dhe ka mjete të mjaftueshme financiare për financimin e pozitës”, thuhet në raport.

Po ashtu ZKA ka gjetur gabime edhe sa i përket intervistimit të stafit të ri për mësimdhënës.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, kandidatët e përzgjedhur në listën për intervistë, duhet të njoftohen me shkrim, së paku 48 orë para mbajtjes së testimeve ndërsa, komuna nuk kishte ofruar dëshmi se kjo procedurë është zbatuar.

“Sipas zyrtarëve përgjegjës të komunës, komunikimi me kandidatet bëhet vetëm me telefon. Intervistat janë realizuar 14 ditë pas testit me shkrim edhe pse rregullat kërkojnë që kjo procedurë të zbatohet brenda 10 ditëve”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, dobësitë e identifikuar janë si rezultat i monitorimit jo adekuat të procesit të rekrutimit dhe neglizhencës së komisioneve për respektimin e proceduarve të parapara me rregulla.