Komuna e Shtimes rrënon tri furra të gëlqeres në fshatrat Dugë dhe Karaqicë

Inspektorë të komunës së Shtimes në bashkëpunim me policinë kanë rrënuar furrat e gëlqeres në fshatrat Dugë dhe Karaqicë pasi shfrytëzoheshin për shkrirje të gurit gëlqeror, gomave e lëndëve djegëse, derisa mbetjet hidheshin në ambient të jashtëm.

Komuna ka bërë të ditur se ky veprim për rrënim të tyre u mor për të larguar këtë dukuri të dëmshme për njerëzit dhe natyrën.

“Po bëhet një kohë që furrat e gëlqeres në fshatin Dugë dhe Karaqicë po ndotin ambientin, pasi përdorin për shkrirje të gurit gëlqeror goma të automjeteve, ndërsa mbetjet e lëndëve djegëse i hedhin në ambient të jashtëm. Për ta çrrënjosur këtë dukuri shumë të dëmshme për njerëzit dhe natyrën në përgjithësi, Drejtoria e Shërbimeve Publike së bashku me inspektorë komunalë dhe të ndihmuar nga Policia e Kosovës, sot kanë rrënuar tri furra të gëlqeres në fshatrat e sipërpërmendura”- thuhet në njoftimin e komunës.

Tutje, komuna ka përmendur edhe disa prej dëmeve shëndetësore që shkakton djegia e gomave në ambient të hapur.

“Djegia e gomave në ambient të hapur shkakton dëm ekologjik sepse dyoksina dhe oksidet tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore”- thuhet më tej në njoftim.

Në vitin 2021 KALLXO.com ka bërë një hulumtim ku potencohej se në Koosvë vazhdon djegia ilegale e gomave. Shteti kishte dështuar të trajtojë gomat e nxjerra nga përdorimi edhe pse është material i riciklueshëm.

Për më tepër, shteti i Kosovës nuk ka të dhëna zyrtare se çka ndodhë me gomat që nxirren jashtë përdorimit, ndërsa djegia ilegale e tyre vazhdon të jetë prezent.

Gjatë viteve të pasluftës, në Kosovë në mënyrë individuale dhe private ka pasur persona që merren me riciklimin e gomës, por një organizim nga ana e shtetit ende mungon, ndërsa ata që merreshin me riciklim, viteve të fundit janë dorëzuar, pasi nuk kanë interes ekonomik në mungesë të një politikave përkrahëse për ta.

Në Kosovë, në mënyrë pothuajse tërësisht ilegale gomat digjen dhe përdoren nëpër furra për pjekjen e gëlqeres. Këto furra janë të theksuara kryesisht në rajonin e Hasit të Prizrenit, si dhe në disa rajone të tjera të Kosovës.

Derisa, Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë kishte deklaruar se nuk pranon dhe nuk merret me trajtim të gomave jashtë përdorimit.

Sipas këtij hulumtimi, Legjislaconi për trajtimin e gomës, si një material mjaft i rrezikshëm për mjedisin, nuk mungon, por në zbatimin e tij ka ngecje.

Vazhdon djegia ilegale, shteti ka dështuar të trajtojë gomat e nxjerra nga përdorimi edhe pse është material i riciklueshëm