Komuna e Shtimes - Foto: KALLXO.com

Komuna e Shtimes anulon ekskursionin e maturantëve, kjo është arsyeja

Komuna e Shtimes ka njoftuar se është anuluar ekskursioni i maturantëve që ishte paraparë të mbahej në Shqipëri.

Sipas njoftimit, kjo ka ndodhur për arsye se pas procesit të përzgjedhjes, kompania fituese nuk i është përmbajtur realizimit të ofertës me të cilën ka aplikuar bazuar në çmimin e paraqitur.

“Drejtoria e Arsimit mbetet e përkushtuar që procesi i përzgjedhjes të jetë në tërësi i bazuar në kërkesat që i përgjigjen formularit sipas UA 02/2016. Nuk do të ketë asnjë tolerim për kompanitë që pas përzgjedhjes të mos u përmbahen kushteve me të cilat kanë aplikuar dhe pa ofruar sigurinë që ekskursioni të realizohet vetëm sipas kushteve të propozuara në ofertë”- thuhet në njoftimin e Komunës në Facebook.

Tutje është thënë se pas kësaj situate, Drejtoria e Arsimit do t’i marrë veprimet adekuate në mënyrë që të mos përsëritet situata e njëjtë dhe kjo të shërbejë si model për të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë në të ardhmen.

“Ju kërkojmë falje gjithë nxënësve e mësimdhënësve dhe kërkojmë mirëkuptimin e tyre, pasi nuk mund të lejojmë që nxënësit të bartin papërgjegjësinë e ofertuesve”-thuhet në fund të njoftimit.