'Fakebooks' në Hungari dhe Poloni

Versionet lokale të Facebook janë lançuar në Poloni dhe Hungari, megjithëse përvoja tregon se sipërmarrjet e teknologjisë të konceptuara me motive të paragjykuara politikisht dhe nacionaliste shumë rrallë janë të suksesshme.

Polonia dhe Hungaria kanë parë lançimin e versioneve të zhvilluara në nivel lokal të Facebook, ndërkohë që një kritikë ndaj gjigantëve të mediave sociale të SHBA është në rritje e sipër mes akuzave për censurë dhe heshtjes së zërave konservatorë. 

Krijuesit që qëndrojunë prapa Hundub në Hungari dhe Albicla në Poloni, e përmendin dominimin e kompanive të mediave sociale në ShBA dhe shqetësimin mbi ndikimin e tyre ndaj fjalës së lirë si arsye për lançimin e tyre – një temë e cila ka marrë vëmendje qyshkur Facebook, Tëitter dhe Instagram ia ndaluan Donald Trumpit rolin e tij në mobilizimin e turmave që sulmuan Kapitolin në Uashington DC me 6 janar. Është e qartë se që të dy platformat e reja vijnë nga vendet me qeveri nacionaliste-populiste, mbështetësit e të cilave shpesh rreshtohen kundër forcës së platformave kryesore të mediave sociale dhe menaxherëve të tyre ‘me paragjykime të pretenduara anti-konservatore’.

Ndërlidhja e Albicla me partinë në pushtet Ligji dhe Drejtësia (PiS) është e qartë. Aktivistët e krahut të djathtë të lidhur me të përjavshmen miqësore PiS Gazeta Polska qëndrojnë prapa Albicla, emri i të cilit është po aq i zymtë për Polakët sa për lexuesin ndërkombëtar, megjithëse Ryszard Kapuscinski nga ekipi i Gazeta Polska pretendon se është një bashkim i frazës Latine albus aquila, që do të thotë “shqiponja e bardhë”, një simbol kombëtar polak.

Aktivistët thonë se Albicla është një reagim ndaj “censurës” së zërave konservatorë nga gjigandët globalë të internetit. “Kemi arritur ti vëmë përballë shqetësimit interesa të fuqishëm dhe kemi thyer muret e frontit ideologjik që po shtyn mënjanë të menduarit konservator”, shkroi të enjten Tomasz Sakiewicz, kryeredaktor i Gazeta Polska, të nesërmen pas hapjes së portalit të ri.

“Jo të gjitha funksionalitetet janë të gatshme sepse ne donim të hapnim portalin në orën e fundit të qeverisjes së udhëheqësit të botës së lirë”, vazhdoi Sakiewicz, duke iu referuar ditës së fundit të Trump në detyrë me 20 Janar. “Tani varet prej nesh që të sigurojmë se kjo botë të vazhdojë të jetë e lirë, veçanërisht në internet”.

Bletët punëtore

Origjina e Hundub – e falsifikuar nga fjalët “Hungarian” dhe “dub”, që do të thotë gjithashtu “zgjua bletësh” në Hungarishten e lashtë – janë më pak të qarta. Deri kohët e fundit, Hundub ishte në pronësi të Murmurati Ltd, një kompani e regjistruar në Belize, por ajo u tërhoq javën e kaluar dhe themeluesi i Hundub, Csaba Pal, njoftoi se do të financohej nga masa nga tani e tutje.

Lançimi i Hundub me 6 dhjetor mori pak vëmendje derisa besniku i qeverisë Magyar Nemzet filloi ta vlerësonte atë si një alternative me të vërtetë hungareze dhe pa censurë ndaj Facebook, e cila, siç thotë gazeta, i trajton padrejtësisht politikanët e qeverisë hungareze. Kryeministri Viktor Orban ishte një nga politikanët e parë që hapi një llogari në Hundub, por të gjitha partitë politike kanë nxituar të hapin një llogari, duke filluar me Momentumin liberal-centrist, partia më e favorizuar nga të rinjtë.

Pal – një sipërmarrës i panjohur më parë nga qyteti lindor hungarez i Debrecen – tha se qëllimi i tij ishte të niste një platformë të mediave sociale që mbështet fjalën e lirë, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta dhe është e lirë nga censura politike. “Gjigandët e mediave sociale janë rritur shumë dhe duhet të ketë një alternativë ndaj tyre”, i tha Pal gazetës hungareze Magyar Nemzet, duke akuzuar kompaninë e teknologjisë amerikane për fshirjen e llogarive të mijëra hungarezëve pa dhënë ndonjë arsye.

Ndërsa është e paqartë nëse ka ndonjë përfshirje të qeverisë në Hundub, lançimi i këtij aplikacioni po rezulton i dobishëm për partinë Fidesz, partinë qeverisëse të kryeministrit në luftën e saj kundër gjigandëve të teknologjisë amerikane. Judit Varga, ministri i drejtësisë, sulmon rregullisht në Facebook dhe Twitter, duke i akuzuar ata për kufizimin e pikëpamjeve të krahut djathtist, konservator dhe të krishterë. Vetëm javën e kaluar, ajo u këshillua me presidentin e Autoritetit të Konkurrencës dhe thirri një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit mbi Lirinë Dixhitale për të diskutuar reagimet e mundshme ndaj “abuzimeve të fundit nga gjigandët e teknologjisë”.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki (majtas) dhe kryeredaktori i Gazeta Polska Tomasz Sakiewwcz (djathtas). Foto: EPA/EFE LAJOS SOOS

E ardhmja e Farcebookut

Fatkeqësisht për qeveritë polake dhe hungareze dhe mbështetësit e tyre, ndërmarrjet e tilla teknologjike shumë rrallë kanë pasur sukses.

Eline Chivot, një ish analist i lartë i politikave në Qendrën për Inovacionin e të Dhënave, tha se idetë e mbështetura nga qeveria si “Airbnb Franceze” e kohëve të fundit janë të destinuara të dështojnë nga mungesa e besueshmërisë, sepse ato bazohen “në motive të njëanshme politikisht dhe nga aplikimi gabuar i politikës industriale, [dhe] kërkojnë të mbizotërojnë një treg që nuk është edhe më tutje i kapshëm”.

Në të vërtetë, Albicla u bë subjekt talljeje menjëherë pas lançimit të saj ndërkohë që përdoruesit vinin në pah të metat e shumta të sigurisë dhe funksionalitetit. Midis tyre, disa prej rregulloreve të faqes së re të internetit me sa duket u kopjuan nga Facebook, pasi ato përfshinin hiperlidhje në faqen e Mark Zuckerberg; më shqetësuese, ishte e mundur të shkarkohej e gjithë baza e të dhënave e përdoruesve një ditë pas lançimit.

Ngacmuesit menjëherë shfrytëzuan të metat e faqes për ta tallur atë, me llogari të panumërta false të hapura për Papa Gjon Palin II, politikanët e Trump dhe Ligji dhe Drejtësia, PiS. Pavarësisht se është vendosur si një hapësirë “anti-censurë”, shumë përdorues janë ankuar se janë bllokuar për arsye të paqarta në disa ditë që nga lansimi.

“Albicla është një iniciativë ad hoc nga mbështetësit polakë të Trumpizmit në reagimin e drejtpërdrejtë ndaj ndalimit të Trump nga platformat e mediave sociale: është barasvlershme me radikalët djathtistë në SH.B.A. duke u kyqur në Parler dhe platforma të tjera të tilla”, i tha BIRN Rafal Pankowski, kreu i organizatës antifashiste “Never Again” me qendër në Varshavë.

Pankowski thekson se ka pasur iniciativa të ngjashme më parë, duke përfshirë sulmet në krijimin e një “Facebooku polak”, të cilat ishin të pasuksesshme, megjithëse ekziston një alternativë lokale për YouTube, wRealu24, të cilën eksperti e përshkruan si “viruse të antisemitizmit dhe homofobisë” dhe popullariteti i të cilave nuk mund të injorohet.

Po kështu, Hundub është tallur plotësisht. Kritikët theksojnë se është thjesht një version i thjeshtuar i Facebook që duket mjaft i turpshëm në terma teknologjikë dhe në ekspozim. Ai ka të njëjtat karakteristika si Facebook – ju mund të takoni miq, të ndani përmbajtje, të ngarkoni foto dhe video dhe, si një tipar shtesë, ekziston edhe një format në blog ku mund të botoni historitë tuaja pa censurë. Edhe butonat janë të ngjashëm me ato që përdor Facebook.

Hvg.hu kujton se hungarezët në të vërtetë kishin një para-Facebook të tyre mjaft të suksesshëm të quajtur IWIW (një shkurtim i “International Who Is Who”), i cili u lançua në vitin 2002 dhe u bë faqja më e njohur në Hungari midis viteve 2005 dhe 2010 me mbi 4.5 milionë përdoruesit të regjistruar. Mjerisht, konkurrenca nga Facebook e detyroi atë të mbyllej në 2014.

Nuk ka gjasa që Hundub të jetë në gjendje të sfidojë dominimin e Facebook, por eksperti medial Agnes Urban nga Mérték Research tha në një intervistë se Hundub mund të përdoret nga partia e Orban’s Fidesz për të mbledhur mbështetësit para zgjedhjeve të vitit 2022 dhe për të krijuar një komunitet entuziast të votuesve.

Themeluesi Csaba Pal gjithashtu shpjegoi se qëllimi i tij është të krijojë një platformë të mediave sociale për të gjithë hungarezët, që do të thotë ’Hungaria e Madhe’ me vëllezërit e saj etnikë në pjesë të Serbisë, Rumanisë, Ukrainës dhe Sllovakisë.

Politikanët hungarezë, nga e majta dhe e djathta, janë shumë aktivë në Facebook dhe, në një masë më të vogël, në Twitter. Kryeministri Orban, fillimisht i kujdesshëm ndaj teknologjisë dixhitale, tani kryeson me mbi 1.1 milion ndjekës në Facebook dhe madje ka zgjedhur të shpallë një numër të masave të politikave gjatë pandemisë në faqen e tij.

Ministri i Drejtësisë Varga dhe Ministri i Jashtëm Peter Szijjarto, megjithë shpërthimet e tyre të shpeshta, janë të dy përdorues të zjarrtë të Facebook. Nuk dihet nëse ndonjë nga aktivitetet e tyre në Facebook është censuruar ose ndaluar; faqja e lajmeve të biznesit Portfolio sjell ndërmend se partia e vetme politike që është ndaluar është partia e ekstremit të djathtë Mi Hazánk, udhëheqësit të së cilës, Laszlo Torockai, gjithashtu i ishte fshirë llogaria. Pa dyshim që ata do të jenë në gjendje të fillojnë përsëri në Hundub.

Albicla gjithashtu duhet të përfitojë nga lidhjet e saj të ngushta me qeverinë polake, e cila që nga ardhja në pushtet në vitin 2015 i ka mbështetur mediat pro-qeveritare përmes reklamave masive nga kompanitë e kontrolluara nga shteti.

Sipas hulumtimit të kryer nga Kantar këtë verë, 16 ndërmarrjet shtetërore dhe institucionet e analizuara nga kompanitë këshilluese rritën buxhetet e tyre të reklamave në Gazeta Polska me 79 përqind midis viteve 2019 dhe 2020 – një periudhë gjatë së cilës shumica e mediave kanë humbur reklamat për shkak të pandemisë. Gazeta Poska Codziennie, një e përditshme e lidhur me të njëjtin besim, ka parë fitime të ngjashme. Dhe baza e kryeredaktorit të Gazeta Polska Tomasz Sakieëicz gjithashtu ka përfituar nga fondet e shtetit në shumën e miliona zlotve.

Në të kundërt, që kur PiS erdhi në pushtet, media kritike ndaj qeverisë, të tilla si Gazeta Wyborcza, kanë parë të ardhurat e tyre nga reklamat shtetërore të pakësohen.

Në vitin 2019, Gazeta Polska u bë kryelajm ndërkombëtar kur shpërndau afishe “zonë pa LGBT” me revistën, në një periudhë kur këshilltarët e PiS në të gjithë Poloninë kishin filluar të bënin presion për miratimin e rezolutave që i shpallin qytetet “zona të lira nga ideologjia LGBT“.

Pavarësisht nga problemet në nisje, Albicla u miratua menjëherë nga anëtarët e nivelit të lartë të qeverisë, duke përfshirë Piotr Glinski, Ministrin e Kulturës dhe Trashëgiminë Kombëtare dhe Sebastian Kaleta, sekretar i shtetit në Ministrinë e Drejtësisë.

Kaleta është gjithashtu personi i ngarkuar me një projektligj të ri për mbrojtjen e lirisë së fjalës në internet, i shpallur në dhjetor nga Ministria e Drejtësisë, i cili do të parandalonte që kompanitë e mediave sociale të ishin në gjendje të hiqnin postimet ose të bllokonin llogaritë nëse përmbajtja nuk ishte në shkelje të ligjit polak.

Rrjeti Ndërkombëtar Kundër Urrejtjes Kibernetike (INACH), një fondacion me bazë në Amsterdam i ngritur për të luftuar diskriminimin në internet, ka argumentuar se policimi “me shumë zell” i fjalës së dëmshme nuk është një çështje në Poloni dhe se ligji i ri polak mund të nënkuptojë, për shembull, që sulmet në internet kundër komunitetit LGBT – të cilat nuk janë të mbuluara nga legjislacioni kombëtar i gjuhës së urrejtjes – mund të mbesin pa u ndëshkuar.

Dhe ku mund të përhapen ato sulme në internet kundër komunitetit LGBT? Në Albicla, mbase.