E vetmja rrethanë në ekonomitë e lira dhe demokratika ku monopoli tolerohet, është rasti një loje me të njëjtin emër | Foto: WikiCommons

Vonesa e Madhe e Konkurrencës Kosovare

Pas vitesh stagnim dhe kritikash të shumta e të përsëritura që gjithmonë kishin hasur në shpërfilljen e institucioneve të Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës mund të jetë bërë, më në fund, realitet.

Mungesa e anëtarëve kishte bërë që ky autoritet të mos funksiononte, çka e ka bëri Kosovën të vetmin vend në rajon e ndoshta në Evropë, pa një institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e rregullave të konkurrencës në treg.

Por, pasojat e dështimit të ngritjes në kohë të këtij institucioni kanë qenë më shumë se vetëm të natyrës etike apo mozaike.

Gjatë kësaj kohe, operatorët ekonomikë në treg, në çdo sektor e industri, kanë vepruar të pakontrolluar dhe të pashqetësuar nëse praktikat e tyre biznesore kanë shkelur apo jo rregullat e konkurrencës së ndershme – një nga parakushtet funksionimit të përshtatshëm të tregut të lirë.

Gjithashtu, ky autoritet është aktivizuar pak muaj pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Bashkimin Evropian. Ky i fundit ka dhënë prova se nuk i do monopolet.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), i cili u funksionalizua pas rreth katër viteve, në seancën e 9 qershorit të këtij viti, megjithatë hasi në thirrjet e disa anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, të cilët bënë thirrje që mos të votoheshin anëtarët e propozuar nga qeveria.

Pas debatit të mbajtur më 26 prill 2016, komisioni vendosi që mos të mos miratohet propozimi i qeverisë për emërimin e kandidatëve në Bordin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Deputetët në debat patën thënë se sa i përket aspektit ligjor kandidatët i plotësojnë kushtet, ndërsa, sa i përket përvojës dhe ekspertizës në konkurrencë, ata nuk kishin përvojë.

Më pas në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët votuan pro emrave të propozuar nga qeveria. Valon Prestreshi u zgjodh kryetar, Ahmet Krasniqi, zëvendëskryetar, Fatime Haziri, Muhamet Krasniqi, dhe Shaqir Morina, u zgjodhën anëtarë.

Gazeta Jeta në Kosovë, kishte shkruar disa herë për mosfunksionalizimin e këtij autoriteti.

Problemet me këtë trupë drejtuese kanë nisur që nga nëntori i vitit 2011, kur dy prej pesë anëtarëve u skadoi mandati. Mbetën vetëm tre.

Dy vjet më pas, në nëntor të 2013-ës, u skadoi mandati edhe dy të tjerëve. Ndërsa, komisioni mbeti vetëm me një anëtar të mandatuar, të cilit gjithashtu i skadoi mandati në prill të vitit 2015.

Pritet Shumë nga AKK-ja

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha për Gazetën JNK se tashmë autoriteti është funksional.

Mustafa tha se pas përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, komisioni ka vizituar AKK-në, për të biseduar për prioritetet e tyre dhe kushtet që duhet të krijohen.

“Autoriteti është funksional, ne duhet t’i mbështetim që t’i krijojmë kapacitetet. Ka qenë një kohë e gjatë që ky autoritet nuk ka punuar dhe ka shumë punë. Por, besojmë që tash ata do të aktivizohen dhe do të tregojnë një performancë më të mirë sesa që ka qenë në të kaluarën”, tha Mustafa.

Nexhat Hasani, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, shpjegoi për Gazetën JNK se sa është i nevojshëm funksionalizimi i këtij autoriteti dhe çfarë ndikimi ka për implementim të MSA-së.

Hasani theksoi se funksionalizimi i Autoritetit të Konkurrencës ka qenë, është dhe duhet të jetë më se i nevojshëm si arbitër i mbikëqyrjes së rrethanave dhe aktiviteteve të subjekteve biznesore për zbatim të normave të lejuara ligjërisht ku nuk i shkelin rregullat e një gare në konkurrencë të barabartë.

“Çështjet e cekura nuk ju mundësojnë hapësirë veprimi kompanive të vogla dhe të mesme, ndërsa humbësi dhe i dëmtuari është konsumatori i cili obligohet ndoshta edhe jashtë vullnetit të tij t’i konsumon këto prodhime ose shërbime”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, autoriteti duhet të shërbejë që bizneset prodhuese, tregtare dhe shërbyese të zbatojnë normat e lejuara ligjërisht dhe të mos i shkelin rregullat e një gare në konkurrencë të barabartë, e “që nënkupton mos abuzimi me pozitën dominuese, respektimi i normave të tregut relevant, marrëveshjet e fshehta të kompanive për unifikim te tarifave etj.”

“Te ndikimi i implementimit të MSA janë çështje të definuara edhe me rregullativën e BE-së përpjekjet të cilat bëhen për shpartallimin e karteleve, tendencave të krijimit të monopoleve apo përpjekjeve për zbulim të marrëveshjeve të fshehta.

“Të gjitha këto dukuri krijojnë parakushte për një ekonomi të dirigjuar dhe sjellin deri te kapja e shtetit nga një pakicë e cila dirigjon me kapitalin jo në baza të ekonomisë së tregut të lirë”, tha Hasani.

Por Hasani vë në dukje se Autoriteti i Konkurrencës duhet të ketë pavarësi nga politika, në mënyrë që puna e tij të japë rezultate reale.

“Është një autoritet i cili duhet t’i tejkaloi interesat partiake. Kosovën e presin punë të vështira në zbatim të MSA-së e sidomos prodhimin, i cili varësisht prej sektorit duhet të plotëson kritere specifike e të cilat kanë një kosto për kompanitë të cilën vështirë se do ta përballojnë pa ndihmën e institucioneve, donator dhe qeveritare”, pohoi ai.

Hasani tha se deri më tani, një sërë bordesh publike janë njollosur nga emërime politike, çka sipas tij, janë vënë në dukje edhe hulumtime në media dhe reagime të institucioneve ndërkombëtare.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili është edhe zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, por ai nuk ktheu përgjigje.

Gjithashtu, Gazeta nuk ka marrë përgjigje as nga zyra e BE-së në Kosovë kur janë pyetur përmes emailit lidhur ndikimin e këtij autoritet në implementimin e MSA-së.