Ilustrim

Vendoset çmimi tavan për naftën dhe produktet e saj

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka marr vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport.

Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 0.12 euro për litër.

Ministria në njoftim potencon se vendimi u mor pasi ishin evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha në tregun botëror.

Ky vendim hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Në vendimin e ministrisë theksohet se do ketë mbikqyrje të shtuar inspektuese dhe paraqitje të rastit te Autoriteti i Konkurrencës, kur ka dyshime për cënim të konkurrencës së lirë.

Rregullimi i çmimeve dhe masat tjera në këtë vendim do mbeten në fuqi 30 ditë nga dita e hyrjes në fuqi.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të MINT:

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregulltë i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.
Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy (2) eurocentë për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër.
Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtrishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.
Ky vendim hyn në fuqi një (1) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”- thuhet ne njoftim.
Like

 

Comment
Share