Autoriteti i Konkurrencës nis hetim ndaj filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë

Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë ka njoftuar se ka nisur hetim ndaj MTS D.O.O, filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë.

Ky hetim është nisur nën dyshimin se ndërmarrja ka realizuar shtiblerje të aksioneve në tregun përkatës duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet tjera për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Sipas njoftimit të Autoritetit të Konkurrencës, më 25 nëntor është nxjerrë një Konkluzion për fillimin e procedurës kundër MTS D.O.O, e cila operon në tregun e Kosovës me ofrim të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor.

“Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës, dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka zhvilluar shqyrtimin paraprak të vlerësimit të përqendrimit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrja MTS D.O.O. (Telekomi Mobil i Serbisë), e cila operon në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, duke fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”- thuhet në njoftim.

Sipas AKRK, shitblerjet nëse janë realizuar pa njoftim të detyrueshëm sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës paraqesin formë të kufizimit të konkurrencës.

“Autoriteti njofton se, transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës”- thuhet më tej në njoftim.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin (ex ante).

Fillimi i këtyre hetimeve për çrregullim të konkurrencës ka për qëllim të sqarojë faktet dhe vërtetojë shkeljen e pretenduar.

“Autoriteti njofton se, fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar. AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrja MTS D.O.O”- bënë të ditur AKRK

“MTS” D.O.O është krijuar në Kosovë si rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin në vitin 2015.

Kompania që është filial i Telekomit të Serbisë në Kosovë, ka shtrirë rrjetin në gati të gjithë operatorët kabllorë në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK)  figuron se kjo kompani është regjistruar në dhjetor të vitit 2015 si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara.

Adresa e këtij operatori është në Lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut, ku përfaqësues janë Dejan Ognjanoviq dhe Zoran Milojeviq , ndërsa pronar kryesor është Telekomi i Serbisë.

Sipas të dhënave në ARBK, ky operator ka pesë njësi nëpër disa komuna të Kosovës: Graçanicë, Ranillug, Shtërpcë, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këtij operatori iu ndanë në përdorim 60 mijë numra me funksion në vetëm pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.

Kjo kompani si aktivitetet primar ka telekomunikimin kabllor, në atë sekondar bën pjesë telekomunikimi pa tela apo Wireless.

Ndërsa, tek aktivitetet e tjera hyjnë ai satelitor, web portalet, aktivitete për shitje të mallrave, tregti me pakicë në dyqane jo të specializuara dhe tregti me pakicë të pajisjeve të telekomunikimit në dyqane të specializuara.

Sipas të dhënave të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), operatori i përkohshëm “MTS” D.o.o ka filluar implementimin e kodit shtetëror telefonik +383 në qershor të vitit 2019.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të këtij operatori lidhur me dyshimet e Autoritet Kosovar të Konkurrencës dhe është në pritje të ndonjë përgjigje.

Kosova i dha leje, Telekomi i Serbisë vazhdon të zgjerohet në Kosovë