Qeveria ndryshon emrat e propozuar për udhëheqjen e Autoritetit të Konkurrencës

Qeveria ka ndryshuar emrat e të propozuarve për anëtarë të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.

Në vendimin e marrë sot është propozuar Neime Binaku Isufi në vend të Hekuran Nikqit.

Në vend të Shpend Miftarit është zëvendësuar Violeta Blakaj Spaçi.

Më 9 mars, qeveria ia kishte propozuar kuvendit emrat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të AKK-së.

Hekuran Nikqi ishte propozuar për kryetar; Kaltrina Sela për zëvendëskryetare ndërsa Shpend Miftari, Besnik Stublla dhe Nafie Nosdautaj ishin propozuar për anëtarë të këtij Komisioni.

Sipas Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, kryetari, zëvendëskryetari dhe anëtarët e Komisionit Kosovar të Konkurrencës propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

AKK përbehet nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, që është trupi vendimmarrës dhe përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë edhe kryetari i AKK-së.

Që nga muaji qershor i vitit të kaluar kur ka përfunduar mandati i kryetarit dhe komisionit të kaluar, AKK nuk e ka këtë trup funksional.

Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.

Pak më shumë se 10 ditë nga propozimi, në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi të mbajtur më 22 mars, Qeveria kishte kërkuar që të tërhiqen emrat e propozuar nga qeveria.