Librat - Foto: KALLXO.com

Agonia disa dekadash e kritikës letrare në Kosovë

Produksioni letrarë në Kosovë në dekadat e fundit ka shënuar një zhvillim të dukshëm, duke sjellë edhe një numër të madhë emrash dhe veprash letrare.

Megjithëkëtë ky produksion mbetet ende pa një vlerësim real kritik.

Kjo për faktin se në vend ka një kohë të gjatë që vlerësimet kritike, apo kritika letrare nuk e kryen funksionin e saj.

Fundi i viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar dhe zhvillimet që pasuan më pas ndikuan jo pak në agonin e kritikës letrare dhe herë-herë edhe në zhbërjen e saj në Kosovë, nga ku shumë vështrime letra kritike filluan të zëvendësohen nga shkrime promovuese dhe për më keq numri i kritikëve edhe ashtu i pakët, tashmë është i papërfillshëm.

Studiues dhe kritikë të letrave shqipe kanë pohuar në prononcimet e tyre për Kallxo.com se ka një kohë të gjatë që kritika letrare nuk arrin të konsolidohet për të kryer ‘misionin’ e saj.

Lavdërimet në vend të vlerësimit kritik

Në një prononcim për Kallxo.com, shkrimtari dhe studiuesi Xheladin Çitaku ka thënë se vlerësimi kritik, apo vështrimi kritik i krijimtarisë letrare sot, është në pasivitet të theksuar, siç ka thënë ai ‘për të mos them në agoni’.

“Nëse shohim vështrimet që përcjellin veprat e ndryshme, të cilat botohen, nuk gjen dot asnjë përmirësim kritik, asnjë zbërthim të bazuar në parametrat shkencore të shkencës së letërsisë, asnjë përqasje objektive e të paanshme”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se në “analizat” recezioniste mbretëron një konformizëm që ndërlidhë raporte të caktuara mes autorit, recensuesit a redaktorit.

Kritika e mirëfilltë letrare, shton ai, ndihet e demotivuar nga rrethanat dhe zhvillimet e sotme, në kushtet e një “kaosi” krijues, ku dominon mendësia e komercializuar.

Ndërsa ka pohuar se me pak përjashtime, nga këto cilësime përjashtohen botimet e veçanta (tituj të veçantë) studimorë të ndonjë autori.

Dan Ibrahimi, shkrimtar dhe studiues, ka potencuar në një prononcim për Kallxo.com se mjerisht sot nuk mund të flitet shumë për kritikën letrare pasi ajo fare pak duket të jetë e pranishme, përkundër faktit se dikur kishte një lulëzim të saj.

Ai ka thënë se sot kritika letrare më shumë ekziston si nocion se sa si një fushë përkatëse.

“Kjo ka bërë një vlerësim jo të drejtë e herë- herë edhe shumë të gabuar të produksionit letrarë në vend, apo veprave të caktuara, duke motivuar në masë veprat që më së paku kanë diçka letrare”, ka potencuar Ibrahimi

Pasiviteti i vlerësimit profesional

Kurse shkrimtari Mahir Morina ka potencuar për Kallxo.com se arti në përgjithësi është determinues i shkencave tjera që lidhen me atë, rrjedhimisht kritika vjen pas artit, letërsisë, d.m.th. veprës.

“Këndejmi, kritika letrare nuk mendoj që është në vdekje klinike, sepse atëherë qenka dhe krijimtaria letrare, ndërlidhja është mjaftë zinxhirore. Por unë mendoj që kritika e mirëfilltë, institucionale e profesionale nuk është aktive mjaftueshëm”, ka thënë ai.

Sipas Morinës kritika më shumë manifestohet si një ‘kritikë shoqërore’ d.m.th. njohja e autorit me kritikun është patjetër ura, e jo vepra, andaj, sipas tij, hapësira duhet të plotësohet në dimensionin se kritika letrare duhet të bëhet për veprën dhe jo autorin.

“Mandej, është më vështirë të kritikosh sesa të shkruash, vlerësimi mbetet niveli me i lartë i dijes”, ka thënë shkrimtari Morina.