Albulena Haxhiu shkarkon Komisionin Disiplinor për Përmbaruesit Privat

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka shkarkuar Komisionin Disiplinor për Përmbaruesit Privat, i cili ishte emëruar para një viti.

Ky Komision vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë si dhe trajton ankesat e palëve ndaj përmbaruesve privat si dhe heton shkeljet e mundshme disiplinore të përmbaruesve.

Vendimi për shkarkimin e Komisionit është marrë me 21 qershor të vitit 2023, ndërsa në këtë vendim nuk është dhënë arsyetimi për shkarkimin e Komisionit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë ka thënë se ky vendim është marrë në përputhje me dispozitat ligjore, por që nuk ka dhënë një arsyetim konkret për shkarkimin e Komisionit.

Sipas përgjigjes sw ministrisw, me qëllim të ngritjes së standardeve profesionale të trajtimit të rasteve, ministrja Albulena Haxhiu shumë shpejtë do ta emërojë Komisionin e ri.

“Përmirësimi i performacës në ushtrimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të ligjshmërisë së punës së profesioneve të lira, në këtë rast Përmbarimit Privat, është një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë” – thuhet ndër të tjera në përgjigjen e ministrisë.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ky Komision në vitin 2022 kishte trajtuar 29 raste, prej të cilave 22 i kishte refuzuar, katër vendime janë dënim me gjobë, një vendim është ‘vërejtje’, një rast ka qenë ku pala është tërhequr nga ankesa si dhe një vendim ishte ‘shkarkim nga detyra’.

Kurse në vitin 2023, Komisioni kishte shqyrtuar 15 raste, prej të cilave 9 i kishte refuzuar, 2 kanë qenë dënime me gjobë, 1 rast ka qenë tërheqje e palës nga ankesa, një vendim ka qenë shkarkim nga detyra si dhe dy raste të tjera janë në procedurë.

KALLXO.com përmes e-mailit ka kontaktuar me dy tashmë ish-udhëheqësit e këtij komisioni, Manushe Karaqi dhe Agron Hoxhaj, për të kuptuar për arsyetimin që iu është dhënë atyre për shkarkim, por deri në publikimin e shkrimit të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në ndërkohë, ky Komision kishte shkarkuar nga pozita përmabaruesin privat, Ilir Mulhaxhën, vëllai i deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ilir Mulhaxha ka thënë se e mirëpret vendimin e ministres Haxhiu, por që sipas tij, është i vonuar.

Ai ka thënë se vendimi për shkarkimin e tij ishte arbitrar dhe i kundërligjshëm.

“..sepse Ministria, bazuar në vendimin arbitrar, të kundërligjshëm të komisionit, që nuk njeh vendimet e gjykatave vendore, res-judikata, që ka provuar mungesë elementare të njohurive të shkencës juridike dhe ligjeve në fuqi, ka suspenduar padrejtësisht licencën time te punës, më ka etiketuar në postime publike, vetëm pse kam mbrojtur profesionin dhe ligjet në fuqi. Përmbaruesi, që në fakt është hallka e fundit në zinxhir, që pas shterjes së te gjitha procedurave, ekzekuton vendimet, bazuar në të gjitha vendimet e marra nga të tjerët” – ka thënë Mulhaxha.

Shkarkimi i përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha kishte të bënte në lidhje me procedurën përmbarimore në mes të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që menaxhon ndërmarrjen shoqërore ‘Newco Lamkos’, si dhe kompanisë private me bazë në Bullgari ‘Steel Commodities’.

Kjo kompani kishte paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris ndërmarrjen ‘Newco Lamkos’, për pagesën e dëmeve të shkaktuara.

Gjykata e Arbitrazhit me 5 nëntor 2010 kishte marrë vendim me anë të së cilit “Newco Lamkos” ishte urdhëruar që t’ia paguajë “Steel Commodities” shumën prej 4 milionë e 118 mijë e 737 euro, si dhe të paguajë kostot e arbitrazhit.

Ndërsa në korrik të 2014-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike e kishte njohur këtë vendim të Arbitrazhit dhe e kishte shpallur të ekzekutueshëm.

Në janar 2020 përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha, kishte pranuar propozim për përmbarim nga kompania “Steel Commodities”, në bazë të vendimit të Arbitrazhit. Përmbaruesi Mulhaxha me 3 janar 2020 kishte nxjerrë Urdhrin Përmbarimor.

Por më pas, me 23 qershor 2020 Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, kishte nxjerrë një Konkluzion me të cilin ka pezulluar procedurën përmbarimore ndaj AKP-së.

Gjykata kishte theksuar se procedura përmbarimore do të vazhdojë pas njoftimit se ka përfunduar procedura e likuidimit ndaj Llamkos.

Pas disa ankesave, me 23 gusht 2022 Gjykata Komerciale në Prishtinë – Dhoma e Shkallës së Dytë kishte aprovuar ankesën e “Steel Commodities”, kishte shfuqizuar Konkluzionin e Gjykatës Themelore, si dhe kishte lejuar vazhdimin e procedurës përmbarimore sipas urdhrit të Përmbaruesit.

Duke u bazuar në këtë vendim, përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha 29 dhjetor 2022 kishte lëshuar urdhrin për transfer drejtuar Bankës Qendrore të Kosovës, në bazë të së cilit janë tërhequr 3 milionë e 500 mijë e 632 euro nga llogaria bankare e ndërmarrjes “Newco Llamkos”, ndërsa pjesa tjetër ishte bllokuar nga Prokuroria.

Këtë veprim të përmbaruesit Mulhaxha, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e kishte konsideruar se ka pasur shkelje, e që më pas i ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Komisionit Disiplinor për Përmbaruesit Privat, i cili edhe e kishte shkarkuar nga detyra përmbaruesin Mulhaxha.

Anëtarë të këtij Komisioni kanë qenë Manushaqe Karaqi – kryesuese; Agron Hoxhaj – zëvendëskryesues; Adnan Konushevci anëtar, Hajruallah Aruqi zëvendës anëtar; Rushit Hoxha anëtar dhe Besnik Aliu zëvendës anëtar.

Ministria e Drejtësisë shkarkon nga detyra përmbaruesin privat