Akuzohen se Legalizuan Kontratën mbi Shitblerjen

Në Gjykatën Komunale në Prizren, të martën, ishte planifikuar që të mbahet gjykimi, ndaj katër të akuzuarve Ismete Veseli, Baki Sylejmani, Nazmi Zylfiu dhe Eroll Imami, të gjithë nga komuna e Gjilanit.

Dy të akuzuarit Sylejmani dhe Imami, zyrtarë nga Gjykata Komunale në Gjilan, njëri referent dhe tjetri noter (referent i legalizimeve) u paraqitën në gjykim. Kurse ftesave gjyqësore nuk u janë përgjigjur të akuzuarit Ismete Veseli dhe Nazmi Zylfiu, megjithëse janë njoftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.
 
Si rezultat i kësaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës gjyqësore, gjykata mori vendim që seanca të shtyhet për datën 6 prill.

Dy të akuzuarit e tjerë shkuan me  një orë vonesë në gjykatë, pasiqë ishte shtyrë gjykimi. Ismete Veseli tha se ka marrë ftesën për gjykim nga ora 11.

I pandehuri Baki Sylejmani akuzohet se më datë  25 gusht 2008, në Gjykatën Komunale në Gjilan, si person zyrtar, me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, ka shpërdorur  pozitën e tij zyrtare, duke legalizuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë të ngastrës kadastrale me numër UL-704060/3- 02925 KK Gjilan.

Edhe pse ka ekzistuar aktvendimi për masën e përkohshme, i datës 7 korrik 2008 mbi ndalimin e tjetërsimit apo hipotekimit të kësaj ngastre.

Kësodore, sipas Prokurorisë Komunale në Prizren, Sylejmani ka kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare, ose të autorizimit.

Ndërsa referenti tjetër Eroll Imami akuzohet sepse më 15 prill 2008, në Gjykatën Komunale në Gjilan, me qëllim të shkaktimit dëmit personit tjetër, ka shpërdoruar pozitën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij, duke legalizuar kontratën  mbi mbajtjen  e përhershme.

Edhe pse me dispozitat ligjore nuk është i autorizuar për një veprim të këtillë, ai e ka legalizuar këtë kontratë, të cilën është dashur ta legalizojë gjyqtari i procedurës jashtëkontestimore.

Duke marrë parasysh këto veprime, Prokuroria Komunale në Prizren e ngarkon Imamin me veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare, ose autorizimit”.

Zyrtarët e Gjykatës Komunale të Gjilanit, Baki Sylejmani dhe Eroll Imami, thanë se e ndiejnë veten të pafajshëm për veprat me të cilat i ka ngarkuar Prokuroria.

“Prokuroria e ka ngarkuar të akuzuarën Ismete Veseli, se më ka vënë në lajthim mua, duke i fshehur faktet. Tani si mund të jem unë fajtor, nëse jam vënë në lajthim? Ku është qëllimi i dashjes nga ana ime, unë madje e kam parandaluar ekzekutimin e kontratës, kur kam kuptuar faktet e vërteta”, i tha Baki Sylejmani, Gazetës JnK.

Poashtu, pakënaqësi në ngritjen e propozimit akuzues nga ana e Prokurorisë, ka shprehur edhe i akuzuari Imami. “Ligji mbi trashëgimin, mua si referent i legalizimeve, ma lejon që të bëjë legalizimin e kontratës mbi mbajtjen e përhershme. Kjo është në fuqi që nga viti 2005, mirëpo siç duket prokurori që ka ngritur propozimin akuzues, nuk është profesionist sa duhet dhe ka menduar se kjo është vetëm në kompetencën e gjyqtarit të procedurës jashtëkontestimore, gjë që nuk është e vërtetë”,  tha Eroll Imami, për gJnK.

Dy zyrtarët po e presin muajin prill që të zbardhin akuzat për të cilat akuzohen.