Ilustrim

3500 gra viktima të dhunës përballen me sfidat për aftësim 

Brenda 18 muajve në Kosovë janë regjistuar 3500 gra të cilat janë viktima të dhunës në familje. Aftësimi dhe riaftësimi profesional i viktimave të dhunë është njëra nga komponentët e rëndësishëm në procesin e trajtimi të viktimave.  

Të dhënat tregojnë që Kosova me një numër të madh të viktimave nuk garanton mundësi të shumta për arsimim dhe riaftësim të viktimave e problemet janë.

Procesi i aftësimit i është besuar kryesit Organizatave Joqeveritare të cilat në pjesën më të madhe të tyre kanë probleme financiare e në raste edhe organizative.

Një hulumtim i KALLXO.com zbardhë se Ministria e Arsimit nuk është marrë me krijimin e kurrikulës për arsimin të viktimave ndërsa në Ministrinë e Drejtësisë procesi i është besuar Qendrave për Punë Sociale.

“Ministria e Drejtësisë përmes Këshillit të Përgjithshëm për Shërbimet Sociale dhe Familjare në kuadër të Standardeve të profesionit që janë të hartuara dhe miratuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, ka hartuar 25 module të trajnimit për ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare. Në kuadër të këtyre moduleve janë hartuar edhe dy module që kanë të bëjnë me Punën me viktimat e dhunës në familje: “Trajtimi dhe referimi” dhe  “Punën me viktimat e krimeve seksuale dhe trafikimin dhe referimin”. Modulet janë hartuar, validuar dhe janë organizuar dhe mbajtur trajnimet për trajnerë (TOT) lidhur me trajtimin e kategorisë – viktima”  – shkruhet në përgjigjen elektronike.

 

Kapacitetet e OJQ-ve në edukim dhe zhvillim profesional janë të limituara

Transferimi i përgjegjësive tek OJQ-të për të zhvilluar programe edukative dhe zhvillim të kapaciteteve të viktimave të dhunës në familje nuk është mbështetur me një buxhet të sigurt dhe standarde që mundësojnë zhvillim të programeve.

Të dhënat tregojnë që nga fondet publike organizatat që ofrojnë zhvillim të kapaciteteve marrin përkrahje dhe si rrjedhojë një numër i vogël i viktimave përfshihen në programe.

Në statistikat zyrtare të qeverisë nuk ka të dhëna se sa gra kanë qenë pjesë e programeve të zhvillimeve të kapaciteteve profesionale.

 

Problemet rreth financimit, veçanërisht në funksionimin afatgjatë, janë evidente

OJQ “Rinia Aktive e Gjakovës” zhvillojnë disa programe edukative, mirëpo për ta burimi kryesor i financimit janë donacionet ndërkombëtare. Edhe OJQ “Gruaja Hyjnore” konfirmon se për programet edukative kanë qenë: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Rrjeti i Grave të Kosovës dhe “D4D”.

Edhe OJQ Bardha përmes telefonit ka konfirmuar se nuk kanë një donator stabil apo afatgjatë, por përfitojnë nga donatorë të ndryshëm, për periudha të shkurtra kohore dhe me fonde, sipas tyre, vetëm pjesërisht të mjaftueshme.

Bahrije Deva nga SHEPF thotë se burimet kryesore të tyre në vitet e fundit ishin nga: RRGK, MKRS, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ajo thotë se shtrirja e shkurtër në kohë, kryesisht tre, pesë ose shtatë muaj e pamundëson arritjen e suksesit të dëshiruar nga ata.

Përpos financave disa nga OJQ-të kanë probleme edhe me hapësirat,  OJQ “Gruaja Hyjnore” vepron në një objekt me qera.

Qëndresa Hajdari nga kjo organizatë pohon se kanë më shumë se dy vite që bëjnë kërkesë për një hapësirë për ushtrimin e këtyre aktiviteteve, mirëpo, ajo tregon se, Komuna e Gjilanit nuk ka marrë mundin të jua kthejë as edhe një e-mail për këtë çështje.

Nga OJQ ‘Bardha’ thonë se kanë qenë gjithmonë të interesuar dhe vazhdojnë të jenë për të shfrytëzuar një hapësirë publike, por në pamundësi vazhdojnë të operojnë në një objekt me qera.

As SHEPF nuk ka një objekt. Ata tregojnë se këto shërbime i realizojnë kryesisht në objektet shkollore ku bëjnë marrëveshje me Drejtorin e Arsimit. Por jetëgjatësia e organizatës me sa duket ka sjellë edhe përparësi të tjera për organizatën.

“Pasi jemi shoqatë me shumë përvojë gjejmë konsideratë edhe tek familjet ku na ofrojnë ambientet e shtëpive të tyre” – thotë drejtoresha Bajramshahe Jetullahu.

 

Sfidat në Izolim

Një pjesë e grave viktima të dhunës në familje përfundojnë në strehimoret të cilat janë të vendosura në disa qytete të vendit.

Strehimoret ofrojnë kurse të cilat nuk janë të akredituara dhe nuk mund të përdoren për kredi profesionale.

Strehimorja në Prishtinë në përgjigjen e saj me e-mail tregoi se në kuadër të strehimores mbahen vetëm trajnime për kohën sa ato qëndrojnë në strehimore, mirëpo nuk janë trajnime të akredituara që u mundësojnë viktimave punësime.

Kurse nga strehimorja në Prizren treguan se përzgjedhja e aftësimit profesional/edukimit bëhet duke u bazuar në kërkesat e përfitueseve, gjendjes psikoemocionale dhe kapaciteteve ekzistuese të tyre.

Mundësitë që ofrohen janë kurse individuale, apo edhe praktikë e organizuar brenda dhe jashtë strehimores.

Por nga strehimorja tregojnë se jo të gjitha viktimat duan apo kanë nevojë për programe të tilla, gjithnjë sipas përgjigjes me e-mail të kësaj strehimoreje ato më tepër kërkojnë punë dhe qëndrueshmëri financiare.

Strehimorja në Novobërdë ka treguar se ofron trajnime në fushën e teknologjisë informative, njohuri digjitale – niveli bazik ku angazhon ekspertë të teknologjisë informative dhe profesorë të jashtëm në një trajnim 10 ditor. Me ç’rast i mbulon të gjitha shpenzimet përfshirë akomodimin, ushqimin dhe të gjitha nevojat e tjera të programit.

Të pyetur për profilet më të kërkuara nga viktimat e dhunës me bazë gjinore, stafi respektiv i secilës strehimore japin përgjigje të ndryshme.

Në Prishtinë kërkesat më të mëdha janë: rrobaqepëse, kurse estetike, shitëse, mirëmbajtëse, kujdestare për fëmijë, etj.

Strehimorja në Novobërdë tregon se, viktimat, në të shumtën e rasteve, nuk kanë ndonjë dëshirë të veçantë, sepse për shkak të bullizmit psikologjik që pason pas dhunës fizike, atyre u mungon vetëbesimi dhe ndihen të pavlera dhe nuk i japin rëndësi karrierës apo nevojat e tyre personale.

Të tri strehimoret pohojnë se kanë të angazhuar vullnetarë në fushën e edukimit dhe aftësimit pranë strehimoreve të tyre, por thonë se kryesisht angazhimi vullnetar është afatshkurtër.

Në përgjigjet e tyre elektronike strehimoret janë shprehur se nuk kanë bërë matje se sa nga viktimat të cilat janë aftësuar apo trajnuar kanë arritur të punësohen apo të krijojnë pavarësi financiare afatgjatë por pohojnë se numri nga viti në vit rritet.

Në lidhje me pyetjen se sa ka interesim nga viktimat e dhunës me bazë gjinore që të marrin aftësim profesional apo edukim tjetër Strehimorja në Prishtinë tregon se ka mjaftë interesim të madh, mirëpo te disa raste ka pengesa nga mungesa e kushteve adekuate për të vijuar aftësimet respektive (çështja e udhëtimit, përkrahja e familjarëve, kujdesi për fëmijët, etj.); strehimorja në Prizren i qëndron konstatimit paraprak se nga ky rajon ka më tepër interesim për punësim se sa për trajnime; kurse ajo e Novobërdës në e-mail-in e dërguar jep konstatim të përgjithshëm se të gjithë janë të interesuar të shkollohen dhe trajnohen, por ka problem në vazhdimësinë e mbështetjes për gratë e “abuzuara”.

Financimi i projektit është afatshkurtër dhe nuk ofron mbështetje thelbësore afatgjatë për viktimat, kështu që ato nuk i përgjigjen “zgjatjeve” pas një ose dy vitesh.

Strehimoret kryesisht i përdorin mediat për t’i promovuar shërbimet për edukim dhe trajnim por kujdesen të mos e tregojnë lokacionin e strehimoreve të tyre.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, menaxhon tetë (8) Qendra të Aftësimit Profesional (QAP), në shtatë (7) regjionet e Republikës së Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.

QAP-et ofrojnë trajnime falas në profesione të caktuara, me theks të veçantë në aplikimin e aftësive dhe njohurive praktike. Duke u mundësuar pjesëmarrësve të fitojnë njohuri dhe aftësi të reja, trajnimet institucionale në QAP, synojnë të rrisin perspektivat e pjesëmarrësve për punësim ose mbajtje të vendit të punës.

Hulumtimi u mundua të hedhë dritë mbi punën e këtyre QAP-eve apo vizionin potencial me viktimat e dhunës me bazë gjinore.

QAP-et janë institucione publike të cilat financohen nga buxheti i shtetit.

Përmes përgjigjeve elektronike të dërguara, QAP-et tregojnë se planin e shpenzimeve të tyre e bën Agjencia e Punësimit e  Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Këto institucione funksionojnë në bazë të ligjit për Agjencinë e Punësimit.

Ishte e rëndësishme të shtjellohej nëse QAP-et kanë një politikë të caktuar për mënyrën se si i trajtojnë rastet, konkretisht nëse kanë një natyrë apo specifika të caktuara që i bëjnë t`u japin përparësi rasteve të caktuara për aftësim/arsimim apo punu shkon në bazë të parimit “i pari në kohë i pari në të drejtë”, dhe konkretisht sa me prioritet konsiderohen viktimat e dhunës në baza gjinore.

QAP-i në Prishtinë thotë se i adresojnë të gjitha rastet e referuara tek ta, QAP-i në Gjakovë thotë se prioritet aty kanë pikërisht viktimat e dhunës me bazë gjinore kurse QAP-i në Pejë thotë se prioritet kanë kategoritë e personave me aftësi të kufizuara dhe kategoritë e ndjeshme.

Kallxo.com është interesuar të dijë se cilat profile janë më të kërkuarat nga viktimat e dhunës me bazë gjinore.

QAP-i në Prishtinë ka treguar se profilet më të kërkuara janë gatuese  ëmbëlsirash dhe brumërash; kurse sipas QAP-it në Gjakovë profilet më të kërkuara janë: kuzhinë, rrobaqepësi, floktari dhe vetëpunësim; QAP-i në Pejë thotë se tek ata më të kërkuara janë profilet asistente administrative dhe kuzhiniere.

Të gjitha QAP-et e kontaktuara pohojnë se viktimat e dhunës si edhe kandidatët e tjerë referohen tek ta nga zyrat e punësimit pa ndonjë dallim të veçantë.

Por si strategji të veçantë përmes të cilës i tërheqin gratë e dhunuara që të ju drejtohen për aftësim/arsimim, QAP-i në Gjakovë e përmend bashkëpunimin e ngushtë me organizatat të cilat merren me këtë kategori si psh: “Medica Gjakova” dhe “Shtëpia e Sigurt”, QAP-i në Pejë e përmend për këto raste vetëm bashkëpunimin me “Shtëpinë e Sigurt”, kurse QAP-i në Prishtinë thotë se bashkëpunimi ekziston me  këto viktima jo drejtpërdrejt por përmes përfaqësuesve ligjor që ju ofrojnë mbështetje për përfshirjen e tyre në aftësim.

QAP-i në Prishtinë dhe ai në Gjakovë në përgjigjet e tyre me e-mail kanë konfirmuar se numri i viktimave të dhunës me bazë gjinore që kërkojnë aftësim profesional apo arsimim  është i vogël, anipse në Gjakovë thuhet se me nxitjen e organizatave të lartcekura ato lajmërohen. Kurse QAP-i në Pejë konfirmoj se nuk ka të dhëna për numrin e kësaj kategorie të viktimave të dhunës e kanë kërkuar aftësim profesional.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.