Seanca per vjedhje - Gjakove

Gjakovë- Të akuzuarit për vjedhje nuk e pranuan fajësinë para Gjykatës

Katër të akuzuarit: Hil Memaj, Getoarbër Mulliqi, Nderim Curri dhe Sinan Kameri, nuk e pranuan fajësinë vjedhje të rëndë në bashkëkryerje.

Prokuroria pretendon se Hil Memaj, Getoarbër Mulliqi, Nderim Curri dhe Sinan Kameri, gjatë Shkurtit të vitit 2015 kanë kryer veprën penale të vjedhjes, me qëllimin e përfitimit të kundërligjshëm.

Sot ishte e paraparë që të akuzuarit t`ia prezantojnë Gjykatës kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën, mirëpo të njëjtit deklaruan se dëshirojnë të ballafaqohen në shqyrtimin gjyqësor.

Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit hynë me forcë në shtëpinë e të dëmtuarit Muhamet Lushaj dhe duke e hapur dritaren e shtëpisë, hynë brenda.

Aktakuza shpjegon se të njëjtit marrin protofolin e të dëmtuarit me para në vlerë prej 535 euro, e pastaj  marrin edhe stoli e ari në vlerë prej 6.220 euro.

Të gjitha këto veprime i ndërmarrin në bashkëkryerje, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit Muhamet Lushaj, në vlerë prej 7.400 euro, thuhet në aktakuzë.

Në gjykimin e sotëm ishte prezent edhe i dëmtuari Muhamet Lushaj.

Ndërsa gjyqtarja Diana Sina, caktoi shqyrtimin gjyqësor për datë 12 dhjetor, për të cilën nuk pati kundërshtime as prokurori Bajram Kryeziu.