Gazetarët Tregojnë Hallet e Tyre në Qendër të Prishtinës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit me një aksion simbolik ka treguar problemet me të cilat përballen punonjësit medialë në Kosovë.

Në aksionin me moton “Fol, Mos u Tut!” janë përmendur emrat dhe rastet e 24 punonjësve medialë që u kërcënuan, ose u sulmuan fizikisht vitin e kaluar

“Nuk janë thjesht emra, data dhe numra. Janë jetë te kolegëve tanë që u rrezikuan në përpjekje për të thënë të vërtetën.  Për të zbuluar abuzimet me paratë publike, korrupsionin, e për të informuar drejt qytetarët me atë çfarë ndodh në vend,” tha kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Zekirja Shabani.

Edhe sivjet sipas Shabanit është ushtruar dhunë ndaj gazetarëve në gjashtë raste të ndryshme.

Shabani më tutje në fjalimin e tij bëri të ditura arsyet pse në Kosovë nuk është lehtë të jesh gazetar.

“Kjo për shumë arsye. Duke filluar nga gjendja e rëndë financiare me të cilat përballen mediat ne vend, mungesa e funksionimit të rendit dhe ligjit, si dhe presionet e grupeve të interesit nga politika e biznesi,” tha Shabani.

Ai foli edhe për problemet mes gazetarëve dhe mediumeve ku ata punojnë.

“Fatkeqësisht një numër i madh i kolegëve gazetarë punojnë në medie pa kontrata pune dhe paguhen jo dinjitetshëm për punën që bëjnë. Madje shpesh edhe u vonohen pagat për muaj të tërë dhe nuk kanë kushte elementare për punë,” deklaroi Shabani.

Pavarësisht toneve pesimiste dhe fjalëve se gjendja e gazetarëve në Kosovë po përkeqësohet, Shabani inkurajoi gazetarët të vazhdojnë punën e tyre.

“Kolegëve gazetarë u themi të mos dekurajohen nga situata e krijuar në vend dhe të vazhdojnë të raportojnë drejt dhe në mënyrë profesionale,” tha ai.

Shabani pati porosi edhe për institucionet e vendit në raport me lirinë e shprehjes.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve që të vënë në funksion mekanizmat ligjorë për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të demokracisë, tha Shabani.

Edhe kryeministri Isa Mustafa me anë të një postimi në Facebook, shkroi sot në mëngjes për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.