Familjet Kërkojnë Gjykatën Speciale, Vendoren e Shohin të Dështuar

Familjarët e intelektualëve dhe aktivistëve të vrarë të LDK-së kërkojnë krijimin e shpejtë të Gjykatës Speciale për të hetuar atentatet me motive politike.

Familjet e 39 personave që dikur ishin pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë protestuar sot në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për familjarët e tyre të vrarë gjatë dhe pas luftës.

Ata kërkuan nga qeveria që të marrë hapa të shpejtë për të krijuar Gjykatën Speciale ku dhe dëshirojnë të kërkojnë drejtësi për familjarët e tyre.

Në pankartën të mbajtur nga ata, janë 39 emra të personave, aktivistë të LDK-së dhe gazetarë të vrarë në atentate.

Deputetja e LDK-së, Doruntina Maloku, e bija e gazetarit të vrarë Enver Maloku, në fund të protestës u deklarua për media dhe tha se familjet i kanë shpresat të Gjykata Speciale.

“Familjet tona janë thellësisht të indinjuara me dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, jo vetëm atij vendor por edhe të EULEX-it prandaj shpresa jonë e vetme po mbetet trajtimi I këtyre rasteve nga Gjykata Speciale.

Arben Bajrami nga Nishori i Suharekës ka ardhur në mbështetje të protestuesve. Vëllai i tij, Bafti Bajrami ishte vrarë me armë kur ai ishte duke festuar fitoren e LDK-së në Suharekë.

Në atë rast ishte vrarë edhe Ukë Bytyçi, atëherë kryetar i Suharekës.

“Atë ditë ka dal kryetari me të gjithë ka dal me festu. Simpatizantët e PDK-së kanë dalë dhe e kanë vra kryetarin sepse kanë pas qef me fitu kandidati i tyre, por nuk ka fitue dhe me një hakmarrje, me plumba I kanë vra këta burra”, tha Bajrami.

Vrasësit e vëllait të tij u dënuan me 18 vite burg.

“Tash presim Gjykatën Speciale dhe besoj në fjalë të prokurorit Ëilliams, që ai na ka premtue se këto vrasje do t’i kthjell Gjykata Speciale. Besoj se ai burrë nuk i ha fjalët. Besoj edhe në kryeministrin e tashëm, që edhe ky do të ndihmon dhe ec puna përpara”, tha Imer Imeri.

Vëllai i tij Haki Imeri, ish-kryetar i LDK-së në Skenderaj ishte vrarë më 2 nëntor 1999.

“Gjithë ata që janë vra gjatë luftës dhe që janë vra mas shpines, nga vet shqiptarët, shqipfolësa, ne ndjejmë një dhimbje të jashtëzkonshme”, tha një pensionist i Prishtinës.

Grupi i familjarëve kanë shkruar edhe një deklaratë të përbashkët, me nënshkrime, duke kërkuar nga Kuvendi i Kosovës krijimin sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale.

Deklarata me nënshkrime të familjarëve i është dërguar krerëve të lartë të shtetit, kryeprokurorit, EULEX-it dhe Ambasadës Amerikane.