Ndeja e Kadri Veselit në klubin ‘Hamam Jazz’ kushtoi mbi 3 mijë e 900 euro

Një ndejë me 15 shkurt të vitit të kaluar që e organizoi kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i kushtoi kuletës së shtetit gati 4 mijë euro.

Nën organizimin e kryetarit Veseli, një koktej u mbajt për nderë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në lokalin “Hamam Jaz” në Prishtinë.

Në këtë koktej, u ftuan ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të mediave të shkruara dhe elektronike dhe partner të Kuvendit të shoqërisë civile.

KALLXO.com posedon faturën e shpenzimeve të kësaj nate e cila arrin shifrën e 3 mijë e 960 eurove. Në përshkrimin e faturës nuk jepen shumë detaje, vetëm si shënim i përgjithshëm ushqim dhe pije nga 18 euro në gjithsejtë 220 sasi e në vlerë totale prej 3 mijë e 960 eurove.

Në fakt, ky nuk është organizimi i vetëm që kabineti i kryetarit, Kadri Veseli organizoi për nderë të Pavarësisë së Kosovës.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi edhe për një organizim tjetër të organizuar nga kabineti i Veslit për nderë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në përvjetorin e Pavarësisë, Kadri Veseli i gostit miqtë me ujë italian

Në hotel “Emerald”, kryetari i Kuvendit si nikoqir priti homologët nga vendet e rajonit dhe mysafirë të tjerë për festimin e 17 Shkurtit. Krejt kjo mbledhi, buxhetit të shtetit i kushtoi 2 mijë e 960 euro e 50 centë.

Në faturën e siguruar nga KALLXO.ccom, janë të listuara kryesisht produkte të huaja të konsumuara në atë drekë.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike zyrtarët e lartë publik.