Kamuflazhi i Komunave për dreka e darka

Komunat e Kosovës për darkat dhe drekat e tyre harxhojnë qindra e mijëra euro të buxhetit të Kosovës.

Mirëpo në faturat që këto komuna i kanë dhënë për KALLXO.com një numër i madh i tyre nuk kanë kuponë fiskal dhe janë të shoqëruara vetëm me togfjalëshin ‘ushqim+pije’, pa treguar se në çfarë produkte është shpenzuar buxheti.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari ka analizuar faturat e 22 komunave të Kosovës.

Komunat e analizuara nga KALLXO.com janë: Prishtina, Ferizaj, Klina, Prizreni, Vushtrria, Mitrovica, Hani i Elezit, Suhareka, Vitia, Shtime, Istogu, Malisheva, Kamenica, Gjakova, Peja, Mamusha, Juniku, Lipjani, Rahoveci, Drenasi, Obiliqi, Kaçaniku.

Totali i faturave të analizuara ka qenë 1223 fatura ku nga to 424 kanë qenë të arsyetuara si ‘ushqim+pije’, ‘në emër të hajes dhe pijes’, ‘drekë zyrtare’ pa bashkangjitur kupon fiskal dhe pa treguar se çfarë ushqime janë konsumuar.

KALLXO.com ka kërkuar nga komunat që të ofrojnë faturat e shpenzimeve në dreka dhe darka zyrtare për periudhën dhjetor 2017 dhe gusht 2018.

Nga analizimi i mbi 1 mijë faturave, vetëm komuna e Klinës dhe e Drenasit kanë arsyetuar të gjitha shpenzimet e tyre, ndërsa Komunat e tjera jo.

Prishtina

KALLXO.com, ka analizuar edhe shpenzimet e komunarëve të kryeqytetit në dreka dhe darka zyrtare, mirëpo këta të fundit në webfaqen e tyre kanë të publikuara vetëm 11 fatura ku 5 nga to janë të arsyetuara si ‘ushqim+pije’.

Ferizaj

Komuna e Ferizajt në faturat e dërguara tek KALLXO.com ka të arsyetuara shumicën prej tyre, nga 41 fatura të dhëna, vetëm 3 prej tyre janë të arsyetuara me togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Klina

Komuna e Klinës, është përkujdesur që në 18 faturat e dhëna për KALLXO.com, të tregoj se ku ka shpenzuar paratë e buxhetit të komunës.

Pra në 18 fatura kjo komunë nuk ka asnjë faturë në të cilën nuk e ka të bashkangjitur kuponin fiskal dhe nuk ka të treguar se çfarë produkte kanë konsumuar.

Prizreni

Komuna e Prizrenit për periudhën dhjetor 2017 dhe gusht 2018, ka dhënë vetëm 29 fatura të drekave dhe darkave zyrtare.

Kjo komunë nga 29 fatura, 6 prej tyre i ka të arsyetuar si ‘ushqim+pije’, pa treguar se në çfarë produkte kanë shpenzuar buxhetin e komunës.

Vushtrria

Ndonëse jo shumë, edhe Komuna e Vushtrrisë, hynë në listën e komunave të cilat  kanë fatura pa kupon fiskal dhe pa treguar se për çfarë produkte kanë shpenzuar buxhetin e Komunës.

Nga 66 fatura të analizuara nga KALLXO.com, 2 fatura nuk përmbajnë kupon fiskal dhe janë të arsyetuara vetëm me togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Mitrovica

KALLXO.com ka analizuar 45 fatura të Komunës së Mitrovicës, mirëpo në 6-të nga to nuk ka pasur mundësi që të shihet se në çka komunarët e Mitrovicës kanë shpenzuar paranë publike.

Kjo sepse 6 fatura të kësaj komune janë të përshkruara vetëm si ‘ushqim+pije’ dhe nuk tregohet se çfarë produkte janë konsumuar.

Hani i Elezit

Komuna e Hanit të Elezit, për KALLXO.com ka dhënë vetëm 37 fatura, pjesa më e madhe e të cilave tregohet sesi komunarët kanë shpenzuar buxhetin e komunës. Në mesin e 37 faturave vetëm 1 prej tyre ka përshkrimin ‘ushqim+pije’.

Suhareka

Komuna e Suharekës gati se gjysmën e faturave i ka të shoqëruara me togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Nga 39 fatura, në 20 prej tyre nuk tregohet sesi është shpenzuar buxheti i komunës, sepse nuk ka as kupon fiskal e nuk janë të shënuara as produktet e konsumuara.

Vitia

Komunarët e Vitisë, për shpenzimet në dreka dhe darka zyrtare, për KALLXO.com kanë dhënë 55 fatura, mirëpo 11 nga këto fatura kanë togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Shtimja

Komuna e Shtimes, ka ofruar gjithsej 37 fatura të shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare. Por nga këto 37, 15 janë pa kuponë fiskal si dhe nuk kanë të treguar se në çfarë produkte është shpenzuar buxheti i Komunës.

Istogu

Komuna e Istogut, për KALLXO.com ka ofruar 252 fatura të drekave dhe darkave zyrtare, në mesin e këtyre 152 faturave, për 108 nuk dihet se në qfarë produkte është shpenzuar buxheti i komunës, sepse këto 108 fatura janë të arsyetuara me togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Malisheva

As komuna e Malishevës nuk është treguar transparente për të arsyetuar shpenzimet e saj. Ajo nga 61 fatura të ofruara në 49 prej tyre nuk janë të treguara produktet që janë blerë nga buxheti i komunës.

Kamenica

Komuna e Kamenicës, për KALLXO.com ka ofruar vetëm 29 fatura ku në shumicën prej tyre janë të arsyetuara shpenzimet për dreka dhe darka zyrtare.

Nga 29 fatura vetëm 5 prej tyre nuk kanë të treguara produktet e blera nga buxheti i komunës.

Gjakova

Nga 103 fatura, sa ka ofruar komuna e Gjakovës për KALLXO.com 82 prej tyre nuk kanë kupon fiskal dhe janë të arsyetuara vetëm me togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Peja

Komuna e Pejës është në mesin e komunave më transparente sa i përket arsyetimit të shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare. Nga 101 fatura të ofruara për KALLXO.com vetëm në dy prej tyre nuk tregohen produktet e konsumuara.

Mamusha

Komuna e vogël e Mamushës ka ofruar vetëm 14 fatura dhe në mesin e tyre 2 fatura nuk kanë të treguara produktet se për çfarë është shpenzuar buxheti i komunës në fjalë.

Juniku

Gati gjysma e faturave të komës së Junikut, nuk kanë të treguara produktet për të cilat është shpenzuar buxheti i komunës.

Nga 22 fatura të dhëna për KALLXO.com 10 prej tyre janë të arsyetuara me togfjalëshin ‘ushqim+pije’.

Lipjani

Edhe komunarët e Lipjanit nuk kanë qenë sa duhet transparent për të arsyetuar shpenzimet e tyre për dreka dhe darka zyrtare.

Nga 57 fatura të dhëna, 49 prej tyre janë të arsyetuara vetëm si ‘ushqim+pije’ pa treguar se për çfarë produkte bëhet fjalë.

Rahoveci

Në 18 nga 49 faturat e dhëna për KALLXO.com, komunarët e Rahovecit nuk kanë treguar sesi kanë shpenzuar buxhetin e komunës.

Për të arsyetuara 18 darka dhe dreka zyrtare, ata janë mjaftuar me togfjalëshin ‘ushqim+pije’ duke mos dhënë detaje të tjera.

Drenasi

Komuna e Drenasit ka ofruar 127 fatura dhe në të gjitha këto fatura është treguar sesi është shpenzuar buxheti i komunës duke treguar të gjitha produktet e konsumuara nga komunarët e Drenasit.

Obiliqi

Gjysma e faturave të komunës së Obiliqit nuk kanë të treguar sesi është shpenzuar buxheti i komunës. Nga 18 fatura të ofruara, 9 prej tyre janë të arsyetuara si ‘ushqim+pije’

 Kaçaniku

Komuna e vogël e Kaçanikut, për KALLXO.com ka ofruar vetëm 12 fatura, dhe nga këto 12 fatura, 3 prej tyre nuk kanë qenë të treguara se për çfarë produkte është shpenzuar buxheti i komunës.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.