Shpallja e aktgjykimit ndaj Sabit dhe Avdyl Dibrani

Dënohen të akuzuarit për vrasje të rëndë në tentativë

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka dënuar me nga 5 vite e 6 muaj burgim dy të akuzuarit për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë  dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës shkak i vrasjes në tentativë ishin çështjet pronësore.

Ndryshe Prokuroria akuzonte Sabit Dibranin dhe Avdyl Dibranin se më 24 shtator të vitit të kaluar rreth orës 15:30 minuta në fshatin Vërnicë të Komunës së Mitrovicës së bashku me dashje kanë tentuar që të privojnë nga jeta të dëmtuarit Adem Xhemajli, Remzi Xhemajli dhe Fabion Xhemajli.

Në aktakuzë thuhet se derisa të dëmtuarit ishin duke u kthyer në shtëpi nga mali me traktor të ngarkuar me drunj, të pandehurit kishin shtënë në drejtim të tyre.

Traktori kishte qenë duke e drejtuar Adem Xhemajli, kurse Remzi Xhemajli dhe Fabion Xhemajli ishin të ulur mbi drunj në rimoriko të traktorit.

Më tutje në aktakuzë shpjegohet si kishte ndodhur ngjarja.

“Derisa rimorkio ishte në lëvizje, i pandehuri Sabit Dibrani me armë automatike me karikator në të cilin ka pasur 33 fishekë, kurse i pandehuri tjetër Avdyl Dibrani me pistoletë nga dritarja në katin nën kulm të shtëpisë dhe te muri i oborrit kanë shtënë nga armët në drejtim të të dëmtuarve”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza sqaron se nga predhat e plumbave është goditur Remzi Xhemajli, ndërsa është rrezikuar edhe jeta e Qerime dhe Hidajete Rexhepit që ishin në oborrin e shtëpisë së tyre.

Predhat e plumbave, sipas aktakuzës, kishin qëlluar edhe traktorin në lëvizje.

Përveç për vrasje në tentativë, Sabit e Abdyl Dibrani akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit të akuzuarit Sabit dhe Avdyl Dibrani janë dënuar për dy pikat e aktakuzës.

Për pikën e parë vepra penale vrasje e rënde në tentativë vëllezërit Dibrani janë dënuar me nga 5 vite burgim .

Ndërsa për pikën e dytë armëmbajtje pa leje janë dënuar me një vit burgim.

Kurse me dënim unik gjithsejtë janë dënuar me nga 5 vite e 6 muaj burgim.

Ne këtë dënim të njëjtëve iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 24.09.2017 derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më shumë se 5 vite e 6 muaj .

Gjithashtu të njëjtëve iu konfiskohet pushka automatike.