Byroja e Sigurimeve Premton Diçka si Kartoni i Gjelbër

Në një konferencë që u mbajt të martën, Byroja Kosovare e Sigurimit dha edhe një premtim se së shpejti mjetet motorike kosovare mund të lëvizin lirshëm pa paguar sigurime shtesë nëpër kufij.

Sipas zyrtarëve të kësaj byroje, kjo do të arrihet në atë mënyrë që një shtet i Evropës Perëndimore do të emetojë Kartonin e Gjelbër në emër të Kosovës.

“Është e rëndësishme të kemi zgjidhje të përafërta, është më mirë se të mos kemi asgjë fare”, tha Greet Flore, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Byrove që mbledh rreth vetes byrotë e 47 shteteve të botës.

Nga ana tjetër drejtoresha e Departamentit të Kartonit të Gjelbër në Byronë e Kosovës , Vlora Obërtinca, tha se brenda muajve të ardhshëm ky premtim do të jetë realitet.

Sipas saj me çlirimin nga taksat e sigurimeve edhe eksporti në Kosovë do të rritet.

“Kosovës do t’i mundësohet dhe do t’i lehtësohet çështja e eksportit dhe lehtësimi i barrierave me emetimin e kartonit të gjelbër nga një shtet kredibil i Evropës Perëndimore që do të thotë lëvizje e mjeteve motorike gjithandej nëpër botë”, tha ajo.

Nga ana tjetër Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” u shpreh i çuditur si deri më tash paska ekzistuar një zgjidhje e këtij problemi dhe askush nuk e paska vërejtur.

“Neve si konsumues të shërbimeve të sigurimeve në veçanti të kësaj pjese të sigurimit të automobilave, e pjesës së kartonit të gjelbër na mbetet të shpresojmë që shumë shpejt ky diskriminim i yni lidhur me qarkullimin e brendshëm dhe të jashtëm do të përfundojë”, tha ai.

Kartoni i Gjelbër është ekuivalent me Certifikatat e Sigurimit Motorik të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Byrove.

Si i tillë, është i pranueshëm pa asnjë pengesë ose çmim të veçantë. Kartoni i Gjelbër garanton se motoristët vizitues kanë së paku mbulesë minimale të sigurimit të detyrueshëm të palës së tretë, i nevojshëm sipas ligjeve të vendeve që i vizitojnë.

Anëtari i fundit i pranuar në shoqërinë e Kartonit të Gjelbër ka qenë Mali i Zi në vitin 2012.