Takimi në mes ministrit të Financave, Bedri Hamza me drejtorin Ekzekutiv të Konstituencës së Bankës Botërore, Franciscus Godst, Foto: MF

Banka Botërore vlerëson situatën ekonomike në Kosovë

Ministri i Financave Bedri Hamza priti sot në takim Drejtorin Ekzekutiv të Konstituencës së Bankës Botërore, ku bënë pjesë edhe Kosova, Franciscus Godst.

Ministri Hamza e njoftoi Godst për gjendjen ekonomike në vend, zhvillimet e fundit në sektorin e financave dhe bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare, me theks të veçantë me Bankën Botërore. Me këtë rast ai falënderoi Bankën Botërore për bashkëpunimin e frytshëm gjatë kësaj kohe duke shprehur gatishmërinë që ky nivel i bashkëpunimit të vazhdoj edhe më tutje dhe duke u intensifikuar më tej.

Ministri Hamza në veçanti e falënderoi personalisht Godst, pasi që duke qenë drejtor ekzekutiv në Konstituencën ku bënë pjesë Kosova, ka përfaqësuar me korrektësi Kosovën në forumet ekzekutive të Bankës Botërore.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Konstituencës së Bankës Botërore Franciscus Godst, vlerësoi lartë situatën ekonomike dhe stabilitetin makrofiskal në Kosovë, si dhe në veçanti angazhimin e Ministrit Hamza në këtë drejtim.

Godst shprehu bindjen se trendi pozitiv i rritjes ekonomike në Kosovë, por edhe treguesit makrofiskal, do të vazhdojnë të jenë në nivele të kënaqshme, në mënyrë që Kosova të vazhdojë në rrugën e progresit ekonomik dhe shoqëror.

Ai gjithashtu falënderoi ministrin Hamza për bashkëpunim korrekt me Bankën Botërore në projektet e deritashme, duke ofruar gatishmërinë e Bankës Botërore për mbështetjen e Kosovës edhe në periudhën e ardhshme.