Banka Botërore: Rindërtimi i ekonomisë së Ukrainës pritet të kushtojë mbi 400 miliardë dollarë

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Kina po vëzhgon “me shumë kujdes” për të parë se si Uashingtoni dhe bota reagojnë ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Duke folur në fund të vizitës së presidentit Xi Jinping në Moskë, Blinken tha se nëse sulmi rus mbi Ukrainën kalon pa u ndëshkuar, një gjë e tillë do ta “hapte kutinë e Pandorës” për agresorët e mundshëm dhe do të na shpiente në një “botë konflikti”. Blinekn shtoi se Kina ende nuk e ka kaluar kufirin e ofrimit të ndihmës vdekjeprurëse për Moskën.

Vizita e liderit kinez Xi Jinping në Rusi ishte një “udhëtim miqësie, bashkëpunimi dhe paqeje”, ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Wang Wenbin, ndërkohë që presidenti i Kinës përfundoi vizitën e tij tri-ditore në Moskë duke i përsëritur pretendimet e Pekinit se Kina ka mbetur neutral në konfliktin e Ukrainës. ëenbin shtoi tutje se Kina “do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në promovimin e një zgjidhjeje politike të çështjes ukrainase”.

Vladimir Putin nuk ka plane të menjëhershme për arritjen e paqes në Ukrainë, kështu që perëndimi duhet të përgatitet për të ofruar ndihmë vdekjeprurëse në Kiev për një kohë të gjatë, ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në një intervistë me Guardian. Luftimet e ashpra, të përqendruara aktualisht rreth Bakhmutit, në Ukrainën lindore, treguan se Rusia është e gatshme “për të hedhur mijëra e mijëra trupa të tjera, duke shkaktuar më shumë viktima për përfitime minimale”, ka deklaruar shefi i NATO-s.

Të paktën një person u vra dhe 33 janë plagosur nga një sulm i dyfishtë raketor rus në dy ndërtesa banimi në Zaporizhzhia në lindje të Ukrainës, sipas zyrtarëve. Pamjet nga një kamera sigurie kapën momentin kur u bë sulmi, duke shkaktuar shpërthim një shtëllungë të madhe tymi të ngrihej nga dy ndërtesa nëntëkatëshe. Zonat e banuara “ku jetojnë njerëz të zakonshëm dhe fëmijë po gjuhen me armë zjarri”, ka deklaruar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

Të paktën tetë persona janë vrarë  gjatë natës në një sulm me dron në Rzhyshchiv në rajonin e Kievit, ka deklaruar shefi i policisë rajonale Andrii Nebytov. Sulmi raportohet se ka goditur një ndërtesë konvikti dhe një shkollë.  

Ministria e Jashtme e Rusisë ka paralajmëruar se Moska nuk do ta lërë “pa përgjigje” planin e Mbretërisë së Bashkuar për ta furnizuar Ukrainën me predha tankesh të bëra me uranium të varfëruar. “Ky vendim nuk do të mbetet pa pasoja serioze si për marrëdhëniet dypalëshe ruso-britanike ashtu edhe në nivel ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë të mërkurën. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se vendimi i Britanisë e ka shpënë situatën në nivele të reja dhe të rrezikshme.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly ka thënë se nuk ka “përshkallëzim bërthamor” në vendimin e Britanisë së Madhe për ta furnizuar Ukrainën me predha të bëra me uranium të varfëruar. “Ato nuk janë municione bërthamore. Ato janë municione thjesht konvencionale”, ka deklaruar Cleverly, një ditë pasi Vladimir Putin e akuzoi Perëndimin se “ka filluar të përdorë armë me një komponent bërthamor”.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, ka thënë se rreziku i një konflikti bërthamor është në nivelin më të lartë në dekada. Ai tha se Rusia është e angazhuar për ta mbajtur botën “të sigurt dhe të lirë” nga kërcënimi i luftës bërthamore, duke shtuar se punëet nuk mund të vazhdojnë si zakonisht, duke pasur parasysh se Moska tani është “në një gjendje de facto konflikti të hapur” me Uashingtonin.

Rindërtimi i ekonomisë së Ukrainës tani pritet të kushtojë 411 miliardë dollarë, 2.6 herë më shumë se produkti i brendshëm bruto i pritshëm i Ukrainës në vitin 2022, zbuloi një studim i ri nga Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Ukraina.

Parlamenti i Suedisë e ka miratuar zyrtarisht një projektligj përmes të cilit i lejohet këtij vendi të anëtarësohet në NATO. Suedia dhe fqinji i saj Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n në maj të vitit 2022, duke braktisur dekada të mos-angazhimit ushtarak, menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Procesi i anëtarësimit aktualisht është penguar nga Turqia, e cila së bashku me Hungarinë ende nuk i kanë ratifikuar anëtarësimet.

Zelenskiy e ka bërë një vizitë të papritur të mërkurën në trupat ukrainase pranë qytetit të vijës së parë të Bakhmut. Gjatë vizitës së tij, presidenti dëgjoi “raporte mbi situatën operacionale dhe rrjedhën e armiqësive në vijën e parë”, thuhet në një deklaratë nga zyra e tij. Zelenskiy, i veshur me një xhup të errët dhe pantallona kaki ushtarake, u pa duke shpërndarë medalje për ushtarët për të cilët tha se po mbronin heroikisht sovranitetin e vendit të tyre.

Ekziston mundësia që sulmi rus në qytetin e Bakhmut ta humbasë momentumin e kufizuar që kishte marrë, thuhet në përditësimin e fundit të inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Kjo mund të ndodhë sepse “disa njësi të Ministrisë së Mbrojtjes ruse janë rialokuar në sektorë të tjerë”, thotë përditësimi i lartcekur./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala