Nga konferenca dhe protesta e SKV-së | Foto: KALLXO.com

Avokati Paralajmëron Ankesë për Paraburgimin e Aktivistit të SKV-së

Asmir Sadiku avokati i njërit nga aktivistët e paraburgosur të SKV-së paralajmëroi ankesë ndaj kësaj mase.

Sadiku tha për KALLXO.com se “nuk ekzistojnë bazat për caktimin e paraburgimit sipas nenit 165 paragrafi 2, nënparagrafi 2.5.1, nënparagrafi 2.5.2 dhe nënparagrafi 2.5.3, të po të njëjtit nen të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”.

Ky nen dhe ky paragraf përcakton kushte nën të cilat një të dyshuari i caktohet masa e sigurisë për sigurimin e pranisë në gjykatë.

Avokati Sadiku që mbron Endrit Shatrin, njërsin nga gjashtë aktivistët e Organizatës Studentore për Barazi, Studim, Veprim, Kritikë të cilëve sot iu caktua paraburgimi prej një muaji tha se do të ankohet në lidhje me këtë vendim të gjykatës.

“Do të ushtroj të drejtën e ankesës për faktin se prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme se i mbrojturi im ka kontribuuar në kryerjen e veprës penale e cila i vihet ne barrë”, tha Asmir Sadiku për KALLXO.com.

Ai tregoi se i mbrojturi prej tij po dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar.

Aktivistët e SKV-së u arrestuan të enjten derisa po festonin tetëvjetorin e themelimit të organizatës në parkun e Prishtinës.

KALLXO.com shkroi më herët për vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.

http://kallxo.com/gjykata-vendos-per-gjashte-te-arrestuarit-e-skv-se/

KALLXO.com ka publikuar edhe videon kur kishte filluar konfrontimi në mes të zyrtarëve policorë dhe aktivistëve të SKV-së që ishin mbledhur për të festuar 8 vjetorin e themelimit të kësaj organizate.