Humbjet mijëra euroshe të Kuvendit nga procesi gjyqësor për blerjen e disa pajisjeve për deputetët

Kuvendi i Kosovës kishte kontraktuar një kompani prej se cilës kishte blerë pajisje mobile për nevoja të deputetëve për punë në distancë, por procesi ishte përfshirë në shumë paqartësi, duke përfunduar kështu në proces gjyqësor.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Kuvendin e Kosovës, në raportin e këtij viti për vitin 2020.

Në raport theksohet se ndonëse Kuvendi nuk i kishte pranuar të gjitha pajisjet e blera, ka paguar shpenzime të konsiderueshme shtesë për pagesën e interesave dhe shpenzimeve tjera gjyqësore, gjë që ka rritur dukshëm koston e kontratës bazë.

Pasi kontestin gjyqësor e fitoi kompania, Kuvendi u detyrua që të njëjtës t’ia paguajë 130,740 euro në total, prej të cilave borxhi kryesor ishte 87,960 euro, interesi 42,780 euro dhe shpenzimet tjera gjyqësore 3,445 euro.

Për më tepër, përkundër këtyre pagesave, ende nuk janë pranuar të gjitha pajisjet e kontraktuara.

Auditori ka bërë të ditur se më 24 qershor të vitit 2015, Kuvendi kishte lidhur kontratë për “Liferimin, testimin dhe implementimin në tërësi të sistemit me pajisje portative (mobile) për qasje dhe punë në distancë për nevoja të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës“.

Kompania ia kishte dërguar pajisjet e kontraktuara Kuvendit më 3 korrik të vitit 2015, dhe komisioni i pranimit dhe menaxheri i kontratës kishin bërë raportin e pranimit të pajisjeve, me vërejtjen se pajisjet e dërguara nuk i përmbushin kërkesat e kontratës.

Ndërsa, sipas raportit më 23 korrik të 2015-s nga kompania ishte kërkuar që t’i tërheq pajisjet, por  nuk ishte përgjigjur në kërkesat e tyre, dhe nga këto arsye, më 21 gusht 2015 kishte ardhur deri te ndërprerja e njëanshme e kontratës nga ana e Kuvendit.

Më 30 maj të 2016-s, Kuvendi ia kishte kthyer të gjitha pajisjet e pranuara kompanisë në fjalë.

ZKA tutje thekson se për shkak të mospajtimeve në mes palëve, kompania kishte paditur Kuvendin dhe kishte fituar kontestin gjyqësor në vitin 2020.

Përkundër ankesave të Kuvendit në tri instanca gjyqësore, përpjekjet kishin rezultuar të pasuksesshme, dhe kontestin gjyqësor e kishte fituar kompania.

Më datë 8 dhjetor 2020 vendimin gjyqësor, kompania e kishte dërguar në Thesar për ekzekutim të pagesës, dhe Thesari kishte ekzekutuar pagesën në vlerë prej 130,740 euro.

Prej shumës së paguar, borxhi kryesor ishte 87,960 euro, interesi 42,780€ dhe shpenzimet tjera gjyqësore 3,445euro.

Pas pagesave të kryera nga Thesari, operatori ia kishte dorëzuar Kuvendit shumicën e pajisjeve të kontraktuara, por jo të gjitha.

“Në ndërkohë, pasi që kishte humbur kontestin gjyqësor, Kuvendi më 27 korrik 2020 kishte ushtruar padi gjyqësore në Gjykatën Themelore, ndaj operatorit për pasurim të pa bazë, ku kërkohet që pajisjet e kontraktuara t’i dorëzohen nga ana e operatorit, por kontesti ende nuk është shqyrtuar nga Gjykata”, thuhet në raport.

ZKA ka rekomanduar që Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit duhet të kërkojë nga kompania dorëzimin e të gjitha pajisjeve të kontraktuara, si dhe të forcojë kontrollet lidhur me pranimin dhe vlerësimin me kohë të karakteristikave teknike të pajisjeve/mallrave të kontraktuar.

Në fund të raportit thekson se institucioni në këtë rast Kuvendi i Kosovës është pajtuar me gjetjen e Auditorit në këtë rast.