Mësim i kombinuar, Shqipëria do të testojë disa lëndë në një orë
Në Shqipëri vitin e ri shkollor, pritet të zhvillohen në një orë mësimi disa lëndë bashkë.
Në një kohë kur teknologjia është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë, Ministria e Arsimit po përpiqet që pas pandemisë që ta përfshijë atë gjatë procesit mësimor.
Për të tërhequr më shumë nxënësit e klasave nga e 6 deri në të 9, ndaj lëndëve shkencore, në shkolla do të paraqitet platforma PHET SIMULATIONS si mjet mësimdhënës nëpërmjet animacioneve. Ky aplikacion është pa pagesë dhe është projekt i realizuar nga Universiteti i Kolorados, ku mund të regjistrohen mësuesit dhe nxënësit e të mësojnë fizikën, biologjinë, kiminë e matematikën duke u argëtuar.
Simulimet janë përkthyer në rreth 90 gjuhë të botës dhe në gjuhën shqipe që në fillimin e krijimit të kësaj platforme. Megjithatë, në udhëzuesin e përgatitur nga Agjencia e Cilësisë së arsimit parauniversitar parashikohen sfidat që do të ndeshen arsimtarët, ku do ju duhet kohë për të fituar aftësi në përdorimin e platformës për tua shpjeguar lehtësisht më pas edhe nxënësve.
Demonstrimet apo vizualizimet e dukurive të ndryshme fizike, kimike, etj si dhe punët laboratorike virtuale janë krijuar për të ndihmuar nxënësit të zhvillojnë aftësi të reja kërkimore shkencore, duke e ndërthurur me mësimin tradicional.
Ndërsa, për mësuesit mundëson një zhvillim profesional të vazhdueshëm duke përdorur një gamë të gjerë burimesh informacioni të mësimdhënies. Platforma phet simulations është përdorur vitet e fundit edhe për hartimin e testit PISA dhe i familjarizon nxënësit me këto ushtrime.
Mirëpo kjo është një risi për institucionet arsimore shqiptare, ku jo të gjitha kanë infrastrukturën e duhur për zhvillimin e mësimit në mënyrë digjitale, ndaj shtatori do të tregojë se si do të funksionojë ky projekt. Top-Channel