Arsim Bajrami

Arsim Bajrami

Arsim Bajrami largohet nga strukturat udhëheqëse në PDK

Deri më tani nënkryetar i PDK-së, Arsim Bajrami ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e strukturave udhëheqëse partiake në këtë subjekt politik.

“Sot po zhvillohet Konventa e IX Zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës dhe siç e kam njoftuar para disa ditësh, me një letër infomuese, Kryetarin z. Veseli, dëshiroj që edhe përmes këtij rrjeti social, të njoftoj me falenderim dhe mirënjohje anëtarët, simpatizantët, votuesit dhe strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës, për vendimin tim për të heq dorë nga çfardo propozimi apo nominimi për t’u zgjedhur në strukturat partiake”, ka njoftuar ai.

Përmes një publikimi në Facebook, Bajrami ka shtuar se do të vazhdojë të mbetet një anëtar i thjeshtë dhe votues i PDK-së.

“Konsideroj që tani pas, gati dy dekada, është e rrugës të ofrojë edhe një kontribut modest me shembullin personal, që angazhimi aktiv partiak e politik, duhet ta ketë një fillim dhe fund të arsyeshëm dhe të dinjitetshëm, duke ofruar hapësirën e nevojshme për gjeneratat më të reja, ndërsa do të vazhdojë të mbetëm një anëtar i thjesht dhe votues i PDK-së…”, thuhet në njoftimin e tij.

Bajrami ndër të tjerash, ka uruar që PDK-ja të zhvillojë një proces zgjedhor kredibil, legjitim dhe në frymën demokratike.

“E vlerësoj lartë me mirënjohje, mbështetjen dhe besimin e anëtarëve, simpatizantëve e votuesve të devotshëm dhe strukturave e lidershipit të Partisë Demokratike të Kosovës, për mbështetjen dhe besimin e parazervë, për gati 20 vite, që si njëri ndër themeluesit e Partisë, më kanë besuar dhe zgjedhur në funksionet më të larta partiake, politike e institucionale”, thuhet në postimin e tij.

Arsim Bajrami ka qenë edhe ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverisjen e kaluar,  PDK-LDK.