Natalya Apostolova | Foto: KALLXO.com

Apostolova: Kosova humbi projekt milionësh për ambientin, përgjegjës institucionet e Kosovës

Në diskutimin e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në të cilin u kërkua zbatimi i menjëhershëm i rekomandimeve nga raporti i Komisionit Europian, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, paralajmëroi publikimin e granteve të cilat po i humbet Kosova, si pasojë e zyrtarëve qeveritarë.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se viteve të fundit po vërehet një mungesë e vullnetit politik, në zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian.

Ajo tha se për këtë nevojitet përkushtim nga kryeministri, kryeparlamentari dhe nga presidenti që të zbatojnë rekomandimet dhe t’ua mundësojnë donatorëve ndërkombëtarë që të ndajnë grante për Kosovën.

“Për shembull projekti i ambientit, i cili kishte vlerën prej 18 milionësh nuk do të mund të implementohet sepse nuk është arritur marrëveshja me institucionet e Kosovës. Ai projekt do t’i shërbente shëndetit të fëmijëve tuaj sepse siç e dini, llogaritjet e ajrit vazhdimisht po tregojnë se ai është shumë i dëmshëm. Do të fillojmë të publikojmë në ueb faqen tonë, secilin prej projekteve të cilat i kemi anuluar për shkak të mos përgjegjësisë së institucioneve tuaja.”, ka thënë Apostolova.