Natalya Apostolova. Foto: Zyra e BE-së/Facebook

Apostolova e zhgënjyer me dështimin e Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Mungesa e kuorumit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ka bërë që të mos mund të shqyrtohen pesë projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare.

E zhgënjyer me këtë është shprehur edhe kryetarja e Zyrës së BE-së në Kosovës, Natalyia Apostolova.

Apostolova ka thënë se mos miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka privuar sistemin e tatimeve dhe Doganën e Kosovës nga modernizimi i punës së tyre.

“E zhgënjyer nga dështimi në mbledhjen e sotme të Kuvendit për të ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së, “Fiscalis 2020 & Customs 2020″, duke privuar sistemin e tatimeve dhe Doganën e Kosovës nga modernizimi i punës së tyre dhe shkëmbimin e njohurive me kolegët në BE dhe më gjerë”, ka shkruar Apostolova në Twitter.

Projektligjet të cilat nuk u arrit të shqyrtohen, janë:

  1. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
  2. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
  3. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
  4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
  5. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”,

Për shqyrtimin dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.