Kurti - Apostolovës: Kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin Integrimit Europian, Blerim Reka dhe këshilltarin politik Jeton Zulfaj, ka mbajtur një video-takim me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në njoftimin për media, bëhet e ditur se biseda u zhvillua në pritje të shënimit të Ditës së Europës më 09 Maj.

“Kryeministri ka uruar Ambasadoren Apostolova duke rikujtuar se BE-ja është një projekt i fitores ndaj fashizmit. Më 09 maj, Deklarata e Shcuman shënon 70 vite të paqes, progresit shoqëror e njerëzor dhe bashkëpunimit nder shtetëror, duke e bërë Bashkimin Evropian një ndër projektet më të suksesshme të Evropës”, thuhet në njoftim.

Kurti e ka njoftuar Apostolovën edhe për menaxhimin e pandemisë me COVID-19 me ç’rast ka theksuar se kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ka qenë e paarsyeshme.

“Duke shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës në kryerjen e reformave të rëndësishme për anëtarësim në BE, kryeministri ka folur edhe për situatën në të cilën ndodhemi. Ai theksoi se kriza shëndetësore me COVID-19 është menaxhuar mirë duke dëshmuar se kërkesa për gjendje të jashtëzakonshme ishte e paarsyeshme dhe ka treguar se si po hapet gradualisht ekonomia duke shtuar masat mbrojtëse”, thuhet tutje aty.

Ministri në detyrë Reka ka thënë se për  Republikën e Kosovës, anëtarësimi në BE mbetet orientim strategjik,

“Këtë e kërkojnë qytetarët tanë të cilët Kosovën e shohin si pjesë të BE-së dhe që besojnë në idenë evropiane. Duke shpresuar në një vendim të shpejtë për liberalizimin e vizave, ministri në detyrë Reka uroi Ambasadoren Apostolova për Ditën e Evropës”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se Kryeministri në detyrë Kurti e ka falënderuar  BE-në për ndihmën që kanë ofruar në menaxhimin e pandemisë dhe zotimin për ndihmë në rimëkëmbje ekonomike si dhe për rolin konstruktiv që zyra e BE-së ka luajtur në këta muaj.

Në anën tjetër Ambasadorja Apostolova a e ka falënderuar kryeministrin për menaxhimin e pandemisë dhe ofroi ndihmën e BE-së në lidhje me planet dhe strategjinë për rimëkëmbjen ekonomike.

Ka tash e disa ditë që në Kosovë numri i të shëruarve nga COVID-19 është më i madh se i të infektuarve.

Institucionet e Kosovës kanë marrë vendim për lehtësimin gradual të masave.

Aktualisht janë shëruar 561 persona nga COVID-19.