Nataliya Apostolova përfundon mandatin në Kosovë, takohet me Vjosa Osmanin

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim lamtumirës shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në Kosovë.

Kuvendi bën të ditur se Osmani e ka uruar Apostolovën për “punën e shkëlqyer” si përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe për koordinimin efektiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe BE-së.

Osmani pohoi se Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në aspiratën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Sipas kryetares Osmani, gjatë misionit diplomatik të Apostolovës, prezenca e BE-së është ndjerë pothuajse në të gjitha fushat dhe asistenca nga BE-ja ka ndihmuar në adresimin e problematikave të ndryshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës në baza të përditshme. Në mesin e tyre, Kryetarja e Osmani ka vlerësuar në veçanti edhe angazhimin aktiv të Apostolovës për fuqizimin e grave dhe avancimin e të drejtave të tyre”, thuhet në komunikatë.

Kryeparlamentarja i ka uruar Apostolovës suksese në angazhimin e mëtejmë dhe e siguroi atë që institucionet e Kosovës do të jenë mikpritëse ndaj shefes së re të Zyrës së BE-së në Kosovë për të vazhduar bashkëpunimin me BE-në.