Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Amerika nuk u jep vizë të korruptuarve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka deklaruar nëpërmjet një komunikate për media se kjo Ambasadë nuk do të lëshojë viza për personat që janë të përfshirë në afera korruptive.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një sistem drejtësie që mban individët përgjegjës për veprimet e tyre korruptuese”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.

Kjo Ambasadë është duke përgatitur edhe hapat konkretë për parandalimin e personave të involvuar në korrupsion që mos t’u lejohet udhëtimi drejt ShBA-ve.

“Lidhur me këtë, Ambasada e SHBA-ve është duke ndërmarrë hapa për të siguruar që individëve të cilët janë të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit të mos ju lëshohen vizat për udhëtim në Shtetet e Bashkuara për biznes apo turizëm”, thuhet tutje në deklarimin e kësaj Ambasade.

“Është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të SHBA-ve. Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara”, thuhet tutje në njoftim.

Ambasada Amerikane ka përmendur edhe disa prej rasteve të njohura për korrupsion në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, thuhet në fund të deklaratës së Ambasadës Amerikane.

Ditë më parë, kjo ambasadë doli edhe më një deklaratë në formë reagimi ndaj Qeverisë së Kosovës.

https://kallxo.com/ambasada-amerikane-shprehe-shqetesim-per-emerimet-e-pakualifikuara-ne-pozita-qeveritare/