Foto ilustruese

Kryetari i Supremes: Nuk është bërë sa duhet nga gjykata për rastet e trafikimit me njerëz

Në mbledhjen e Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës, mekanizëm i krijuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sot është diskutuar edhe për situatën me trafikimin me njerëz.

Kryesuesit i Asamblesë, njëherazi kryetar i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, tha se se trafikimi është një problem i moçëm i njerëzimit.

“Besoj se të gjithë jemi dakord se një prej problemeve prej që ekziston njerëzimi por edhe i shoqërisë moderne është trafikimi me njerëz. Jo gjithherë është e lehtë lufta në këtë fushë” – tha Fejzullah Rexhepi.

Në kuadër të takimit u bë prezantimi i shtatë pikave të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, të cilin e bëri Molly Henley nga Ambasada amerikane në Kosovë.

Ai tha se trafikimi ndodh gjithkund në botë dhe sipas saj siç ka thënë edhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken duhet parandalim, ndjekje dhe mbrojtje për këtë segment.

Raporti i Departamentit të Shtetit flet për suksese dhe i shpërfaq dështimet lidhur me trafikimin. Ai i përfshin 188 shtete, përfshirë Kosovën dhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Raporti është specifik për secilin shtet.

Molly Henley tregoi se nga raporti i sivjetshëm, pra i 2023-tës vijnë 12 rekomandime.

Ajo tha se pikërisht aspektet e përfshira në rekomandime janë ato që maten apo vlerësohen për vitin e ardhshëm.

Për më tepër, duke iu drejtuar anëtarëve të Asamblesë Henley u shpreh se të njëjtat janë specifike edhe karshi rolit tuaj për parandalimin dhe ndjekjen e trafikimit.

Rekomandimi i parë i Departamentit të Shtetit është që dënimet të jepen në kohë dhe të jenë adekuate (duke iu referuar lartësisë) për trafikuesit. Kjo, shpjegoi Henley, nënkupton zvogëlim të numrit të lëndëve të grumbulluara.

Rekomandimi i dytë që u prezantua është që Kosova të zhvillojë udhëzime të shkruara dhe të bëjë mund shtesë për t’i asistuar fëmijët e eksploatuar nga lypja e detyruar.

I treti me radhë kishte të bënte me rritjen e burimeve/ mbështetjes për strehimoret e udhëhequra nga OJQ-të, shërbimet sociale dhe mbrojtësit e viktimave.

I katërti kërkon përcaktimin dhe trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar në çdo regjion për t’u marrë me raste të trafikimit.

I pesti kërkon rritjen e mbështetjes qeveritare për trajnime dhe shërbime riintegruese.

“Ne duam që viktimat të rehabilitohen” – u shpreh Molly Henley.

Kërkesë tjetër e këtij raporti ishte edhe standardizimi i të dhënave për rastet e trafikimit dhe forcimi i masave të konfidencialitetit dhe privatësisë.

“Të sigurohemi që privatësia e informacionit është e rëndësisë parësore” – tha përfaqësuesja e Ambasadës amerikane.

Gjithashtu pjesë e sygjerimeve është edhe trajnimi i operatorëve të linjës emergjente për rastet e trafikimit.

Kryesuesi i takimit, Jetullah Rexhepi, tha se mbështetja e Amerikës është e mirëseardhur dhe se raportet i shërbejnë ngritjes së vigjilencës së tyre për përmbushjen e këtyre rekomandimeve.

Ai u shpreh se vetë fakti se raporti ka përfshirë mbingarkesën e lëndëve, ku përfshihen edhe rastet e trafikimit, tregon se s’është bërë sa duhet për to, e çalim ka edhe në drejtim të vendimeve.

Ai kërkoi kujdes nga gjyqtarët për trajtimin e këtyre rasteve.

“Duhet angazhim më i madh edhe nga kryetarët edhe nga ne që sa u përket këtyre lëndëve të kemi kujdes më të madh. Të përcillen në mënyrë të vazhdueshme a po trajtohen në kohë por edhe sa i përket vendimeve mbi dënimet, ani pse kryetarët nuk mund të ndikojnë në vendimmarrjen e gjyqtarëve të kërkohet llogari se si erdhi deri te dënimi respektiv kur dënimi është në disproporcion” – u shpreh Jetullah Rexhepi.

Në përfundim Asambleja rekomandoi që të përmbushen rekomandimet e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me njerëz, si dhe u diskutua Plani i Punës për Kosovën për 2023-2024, me ç’rast Asambleja bëri thirrje për përpjekje më të madhe në përmbushjen e standardeve në luftimin e kësaj dukurie.

Kryetarët e gjykatave diskutojnë për pajisjet e video-incizimit – “Më në fund nuk do ta çojmë ditën duke shkruar procesverbale”

www.kallxo.com