Flaumri i SHBA-së në gjysmë shtizë në Ambasadën amerikane në Prishtinë - Foto: Facebook

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ul flamurin në gjysmë shtizë në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka ulur në gjysmë shtizë flamurin amerikan në nderim të Afrim Bunjakut, policit të vrarë dje në veri.

Në njoftim thuhet se Ambasada i është bashkuar institucioneve të Kosovës në zi për humbjen e rreshterit.

Me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dita e hënë, 25 shtator 2023, është shpallur ditë zie shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku.

Dje ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas vrasjes së policit duke thënë se SHBA-të dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e 24 shtatorit.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.