Ministri Arban Abrashi në diskutimin për punën e Qeverisë në këto dy vite - Foto: Facebook

Abrashi: 30 Mijë të Punësuar Gjatë Këtij Mandati

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se gjatë mandatit të kësaj Qeverie janë punësuar 30 mijë persona.

Këtë shifër ministri e përmendi gjatë një diskutimi në zyrat e Lëvizjes “FOL”.

Sipas ministrit, kjo shifër e të punësuarve kuptohet në bazë të të dhënave të kontribuuesve në Trustin e Pensioneve.

“Në vitin 2015, në Trustin Pensional kontribuues kanë qenë 230 mijë qytetarë, kurse në vitin 2016 janë 260 mijë kontributdhënës”, theksoi ministri Abrashi.

Ministri Arban Abrashi foli edhe për pensionistët mashtrues. Sipas tij, Ministria ka identifikuar 17 mijë pensionistë të tillë.

Me identifikimin e tyre dhe ndërprerjen e marrjes së pensioneve nga ata, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka kursyer buxhetin e Kosovës për 10-15 milionë euro.

Papunësia në Kosovës, sipas ministrit Abrashi është 27-28 për qind.

Ministri theksoi se gjatë muajit mars ka shumë mundësi të hynë në fuqi pensionet familjare dhe pensioni për lëndimet në punë.

Redaktoi: Naser Sertolli