30 Ditë Paraburgim për Slobodan Gavriq

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës ia caktoi masën 30 ditëshe të paraburgimit Slobodan Gavriqit, i dyshuar për sulm terrorist, i arrestuar të enjten në mbrëmje në Prishtinë.

Këtë e konfirmoi avokati i të dyshuarit, sipas detyrës zyrtare, Muhamet Humolli.

Masa e pabarburgimit është kërkuar nga prokurori i rastit.

Seanca ka filluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në orën 11:00, ndërsa gjyqtari ka vendosur që ajo të jetë e mbyllur për media.

 

KALLXO.com ka siguruar një pjesë të kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit në të vilën përshkruhen planet e dyshuara të Gavriqit.

Slobodan Gavriq, shtetas i Serbisë, i martuar, baba i dy fëmijëve, punëtor i Ministrisë së Bujqësisë, me profesion veterinar, dyshohet se ka kryer veprat penale të përgatitjes së veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës; si dhe import, eksport, transportim, prodhim këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse të ndaluara sipas Kodit Penal të Kosovës.

Slobodan Gavriq Del Sot Para Gjykatës

10:30

Slobodan Gavriq, i arrestuar të enjten në mbrëmje në Prishtinë, do të dalë pas pak çastesh para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë për t’u njohur me akuzat për të cilat dyshohet.

Seanca është caktuar të mbahet në orën 11:00.

Gavriq u kap në automjetin e tij me të cilin po bartte 12.2 kilogramë eksploziv të cilin hetuesia dyshon se po planifikonte t’i shpërthente në Prishtinë.

Drejtuesit e shtetit të Kosovës e kanë cilësuar këtë akt si planifikim të sulmit terrorist ndërsa Gavriq po akuzohet për cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.