LDK hap fushatën për zgjedhjet e 22 tetorit – Foto: LDK

Mustafa: Abrashi do t’i Çojë në Shtëpi Ata që Zhvilluan Demagogji

Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën e saj për zgjedhjet lokale të 22 tetorit me një tubim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku janë prezantuar kandidatët për kryetarë të komunave.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se më 22 tetor do të rizgjidhen kryetarë zyrtarët e LDK-së që aktualisht drejtojnë disa prej komunave të Kosovës.

“Unë jam shumë i bindur që ata që nuk qeverisën por zhvilluan vetëm propagandë dhe demagogji, ata do t’i çojë në shtëpi Arban Abrashi në Prishtinë”, tha Mustafa.

Sa i përket Prizrenit, Mustafa tha se qeverisjes së keqe atje do t’ia vërë çelësin Hatim Baxhaku.

Mustafa tha se është i bindur se njerëzit e LDK-së do të bëjnë kthesë pozitive e të fitores në Dragash, Kamenicë, Kaçanik e Han të Elezit, Shtime e Rahovec, Malishevë e Klinë, Deçan e Junik, Gjakovë e Mitrovicë, Vushtrri e Obiliq, por edhe në Novobërdë.

“Ka ardhur koha që edhe Drenasi dhe Skenderaj të votojnë ndryshe, të votojnë për LDK-në sepse ajo gjithmonë i qëndroi pranë qytetarëve të Drenicës”, tha i pari i LDK-së.