Foto: Facebook

Zgjedhjet Serbe, LDK i Përgjigjet Vetëvendosjes

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje, e cila tha se Isa Mustafa po ngjan më shumë si zëdhënës i Qeverisë së Serbisë, se sa kryeministër i Kosovës.

“LDK-ja i konsideron të ulëta dhe në vazhdën e trillimeve dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes qëndrimet e fundit të këtij subjekti politik”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në të njëjtin reagim thuhet se flamuri dhe himni i Republikës së Kosovës i ofenduar nga disa drejtues të VV-së, po nderohen edhe në vendet që ende nuk e kanë marrë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje kërkon që njëherë e përgjithmonë të heqin dorë nga trajtimi i Beogradit si burimi kryesor i informacionit, i politikbërjes dhe orientimit politik karshi Kosovës dhe që të mos shndërrohen në subjekt politik i cili merret ekskluzivisht dhe i jep publicitet në Kosovë atyre çka thotë e bën Serbia”, thekson partia e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, i përkushtuar për fqinjësi të mirë, por që fatin e saj nuk e lidh me asnjë shtet fqinj, e aq më pak me Serbinë, e cila një ditë të afërt do të detyrohet të pranojë realitetin, të kërkojë falje dhe të shlyejë borxhet e panumërta morale, politike e materiale që ka ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në fund të reagimit, duke shtuar se “është thënë e vërtetuar me kohë, se për Kosovën ‘dielli lind në perëndim’, e jo në Serbi dhe askund tjetër”.

Sot Vetëvendosje kishte reaguar rreth zgjedhjeve serbe që po mbahen në Kosovë. Përgjegjës pse këto zgjedhje po mbahen këtu “si kudo në Serbi” partia opozitare e ka bërë Qeverinë e Kosovës.

http://kallxo.com/zgjedhjet-serbe-lvv-kritikon-qeverine-e-kosoves/