VIDEO: Shpëtohen Dy Fëmijë e një i Moshuar, të Bllokuar nga Ujërat

Policia lokale dhe FNSh-ja Shkodër kanë shpëtuar sonte 2 të mitur dhe një 60 vjeçar, të mbetur të bllokuar si pasojë e vërshimit të ujërave të lumit Kir.

Përmes një telefonate në Sallën Operative të DVP Shkodër është kërkuar ndihmë pasi 2 të mitur kishin mbetur të bllokuar në ujërat e lumit Kir, poshtë Urës së Bardhajve.

Policia Shqiptare njofton se në zonën ku u kërkua ndihmë, shkuan shërbimet e Policisë lokale dhe Grupi i Emergjencave të FNSh-së, Shkodër.

Ata u angazhuan në operacionin e shpëtimit dhe arritën në kohë të nxirrnin nga uji 2 fëmijët e moshës 14 vjeçare, si dhe shtetasin F.Gj. 60 vjeç, i cili kishte shkuar për t’u ofruar ndihmë fëmijëve.

Tre të shpëtuarit janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për kontroll dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.