Liqeni i Komanit gjatë një shëtitje me traget. Foto: Ivana Dervishi/BIRN
Ndotje ndërkufitare: Përmbytjet nxjerrin në sipërfaqe “ishujt” e plastikës në Fierzë
Ndotja e liqenit të Fierzës nga mbetjet plastike dhe ato inerte u bë e dukshme pas reshjeve të fundit në zonat që shërbejnë si ujëmbledhës i Drinit, por mbetjet aty janë të vjetra, ndërsa pushteti lokal dhe KESH përplasen mbi përgjegjësitë.
Reshjet e dendura të shiut në Kosovë dhe dalja nga shtrati e lumenjve që derdhen në Drinin e Bardhë, krijuan një situatë emergjente edhe më poshtë në rrjedhë. Rrëketë mblodhëm mbetjet urbane dhe krijuan “ishuj” lundrues plastike në liqenin e Fierzës.
Ndotja e liqenit nga prurjet me mbetje urbane të përrenjve që derdhen në Drinin e Badhë dhe atë të Zi është një situatë e vjetër, por rrebeshi i datave 18 deri 20 janar e nxori atë më në sipërfaqe.
Safet Gjici, kryetar i Bashkisë së Kukësit i tha BIRN se e detyruar nga kjo situatë, bashkia bënte të paktën një herë në vit pastrimin e liqenit nga mbetjet në zonën e saj. “Me mundësitë tona në dispozicion ne për çdo vit, apo dy herë në vit jemi marrë me pastrimin e mbeturinave në liqenin e Fierzës në zonën e Kukësit,” tha Gjici.
Po ashtu, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, e cila menaxhon liqenin, ka zhvilluar disa aksione pastrimi në Fierzë dhe më poshtë në Koman, përfshi një të tillë në verën e vitit që shkoi. KESH, madje prej vitesh reklamon që ka angazhuar anije të posaçme për të mbledhur mbetjet në liqenet e kaskadës.
Këtyre u janë shtuar aksionet e aktivistëve të mjedisit, që vullnetarisht kanë mbledhur qindra kilogramë plastikë në brigjet e liqenit. Por aksionet nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim të dukshëm.
Sipas raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit “Cilësia e ujërave sipërfaqësore në vendin tonë 2021”, cilësia e ujërave të Drinit është përkeqësuar prej vitit 2018, duke kaluar nga “gjendje e moderuar” në “gjendje të varfër”.
“Cilësia e ujërave të basenit Drin-Bunë ka pësuar përkeqësim duke e krahasuar me vitin 2018, ku ujërat klasifikoheshin në klasën e tretë. Nga viti 2019 deri në vitin 2021, ujërat paraqiten me të njëjtën situatë, duke u klasifikuar në klasën IV – Gjendje e varfër”, thuhet në raport. Aty thuhet se arsye të ndotjes janë derdhjet në lumë pa trajtuar të mbetjeve industriale të lëngëta e të ngurta dhe ujërave të ndotur të patrajtuar.
Megjithatë, ndotjet në Fierzë janë ndërkufitare. Një pjesë e tyre vijnë nga Kosova dhe të tjerat vijnë nga të paktën 4 bashki në Shqipëri, që duhet të menaxhojnë mbetjet në ujëmbledhësit e Drinit të Zi dhe të Bardhë.
“Liqeni i Fierzës kryesisht ndotet nga mbetjet urbane, ku më të rrezikshme janë ato spitalore që vijnë kryesisht nga Kosova. Megjithatë ndotës nuk është vetëm Kosova, por edhe njësitë administrative të qarkut të Kukësit, Dibrës madje edhe ato të Pukës që kanë lidhje me liqenin e Fierzës nga Bllata deri në Fierzë”, tha për BIRN Shemsi Shahu, përfaqësues i Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Lezhë për Kukësin.
Shahu këmbëngul se zgjidhje për situatën do të ishte që KESH, e cila shfrytëzon liqenin vetëm për prodhimin e energjisë, t’i dilte për zot edhe mbrojtjes së tij nga ndotja.
“Liqeni vuan për një pronar “de facto”. Ai pronar duhet të jetë KESH-i dhe të mbajë përgjegjësi për ndotjet dhe jo të mjaftohet vetëm me ndotjet në afërsi të digës dhe prodhim energjie . Pra liqeni po vuan për një pronar,” insiston Shahu.
Korporata nga ana tjetër, edhe pse i konsideron qytetet e fshatrat në ujëmbledhës zona të influencuar prej saj, e sheh veten si ndihmuese e jashtme sa i përket menaxhimit të mbetjeve.
“Në këtë drejtim, KESH-i mund të ndërmarrë një sërë projektesh për rehabilitimin, transformimin ose transferimin e këtyre venddepozitimeve. Një ndërhyrje e tillë do të kërkonte fonde të konsiderueshme nga bashkitë, por nga ana tjetër është një tipologji kryesore projekti që KESH mund të realizojë nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet lokale”, thuhet në Strategjinë e Planit të Veprimit të Përgjegjshmërisë Sociale të KESH të miratuar në shkurt 2021.
KESH fajëson bashkitë për menaxhim të dobët të mbetjeve urbane, mungesë të koshave dhe lejim të depozitimeve ilegale në brigje të lumenjve dhe madje buzë liqenit. Korporata vë në dukje se mbetjet e ngurta veç ndotjes, krijojnë risk edhe për pajisjet prodhuese të energjisë. “Ndotja e lumenjve nga mbetjet e ngurta, depozitimi i inerteve si rezultat i erozionit, etj. impaktojnë dhe vështirësojnë aktivitetin e KESH për prodhimin e energjisë,” thuhet në dokument.
Megjithatë, në strategji KESH zotohet të ndërmarrë iniciativa për të ndihmuar në menaxhimin e mbetjeve, duke e cilësuar këtë një problem themelor. “Problemi i mbetjeve të ngurta në sipërfaqet ujore të zonës së influencës mbetet një nga pikat fokale ku duhet të përqendrohen projektet që KESH-i do ndërmarrë në kuadër të përgjegjshmërisë sociale të korporatës”, thuhet në strategji.
Edhe specialistë të mjedisit të intervistuar edhe më herët nga BIRN sa i përket ndotjes së lumenjve e shohin problemin kryesisht te mungesa e menaxhimit të ndotjes urbane nga bashkitë.
Bashkia e Kukësit megjithatë pretendon se është duke punuar për të ndryshuar situatën. Nënkryetarja e Bashkisë së Kukësit, Majlinda Onuzi thotë për “ BIRN” se ata kanë në proces implementimi projektin “Bio-Drini”, një financim kryesisht i Bashkimit Europian me një shumë prej 462 mijë euro që ka në fokus pastrimin e liqenit të Fierzës.
“Projekti është i ndarë në katër pjesë, ku krahas BE-së, bashkëfinancues janë qarku i Kukësit, komuna e Rahovecit në Kosovë, PAMKOS-i në Kosovë dhe URI (Urban Research Institute)(Instituti I Kërkimeve Urbane) në Tiranë”, thotë Onuzi.
Ajo thotë se projekti parashikon vendosje të pritave në hyrjet në liqen. “Ky projekt konsiston në vendosjen e dy pritave në Lumin Drini i Bardhë në hyrje të zonës së Kukësit, ndërsa dy prita të tjera do vendosen në zonën e Xerxes në Rahovec,” thotë Onuzi.
Projekti është dy vjeçar dhe ka filluar në shkurt të vitit 2022. “Deri tani jemi në fazën e studimit, ku do përcaktohet saktë se ku do vendosen pritat,” përfundoi Onuzi./Reporter.al.